Duke filluar nga data 8 shtator 2019, të gjithë shqiptarët që jetojnë në Itali apo që do të udhëtojnë në drejtim të Italisë për tre muaj, nuk do të kenë nevojë të pajisjen me patentë ndërkombëtare shoferi. Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka njoftuar qytetarët shqiptarë me banim apo që vizitojnë Italinë lidhur me këtë marrëveshje të finalizuar me shtetin italian. “Një lajm shumë i mirë për shqiptarët në Itali! Më në fund mbaroi edhe marrëveshja ndryshuese për konvertimin e lejeve të drejtimit që do të hyjë në fuqi më datën 8 shtator 2019!
Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje ndryshuese i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë rezidentë në Itali, pasi bën njohjen e modeleve të reja të lejeve të drejtimit të lëshuara nga shteti shqiptar, duke lehtësuar shpenzimet dhe kohën për konvertimin/pajisjen me leje drejtimi italiane pa kaluar testet teorike e praktike të drejtimit të automjetit”, tha ai. Gjithashtu, shtetasit shqiptarë me lejet e reja të drejtimit që vizitojnë e qëndrojnë në Itali për deri 3 muaj, nuk kanë nevojë të pajisen me leje ndërkombëtare të drejtimit të automjetit. “Shqipëria ka ndërmarrë të njëjtat përpjekje e hapa edhe me shtete të tjera evropiane. Përgjegjësitë e palës shqiptare janë kryer të gjitha me përpikëri! Për arsye tëprocedurave të brendshme të këtyre shteteve ato nuk janë përfunduar ende.
Ministria e Jashtme do të vijojë të nxisë realizimin e marrëveshjeve të tilla edhe me këto vende duke i ardhur sa më shumë në ndihmë bashkëkombësve tanë nëpër botë”, shkruan Cakaj. Ditë më parë Drejtoria e Patentave njoftoi se është arritur marrëveshja me Italinë për konvertimin e patentave. DPSHTRR, ka njoftuar po ashtu se kartonët, dublikat, rinovimet apo hera e parë që pas marrjes së provimit do mund të tërhiqen fill pas gjysmë ore, dhe jo më të prisnin periudhën ‘e famshme’ 15 ditore në pritje të kartonit. Duke nisur që nga 15 gushti, pritja do të reduktohet në vetëm 30 minuta, pa shuar entuziazmin e marrjes së provimit.