Flamurtari nuk po gjen qetësi. Sapo vjen një lajm i mirë që skuadra zbret në fushë për stërvitje, menjëherë del në skenë lajmi i keq që tregon për krizën e thellë e të pashmangshme të klubit vlonjat. Sikurse shprehen edhe mediat sportive online, Flamurtari i këtij sezoni “shembet” nga themelet. Trajneri i emëruar vetëm pak ditë më parë, Gerd Haxhiu dhe drejtori sportiv, Artim Pollozhani, kanë dhënë dorëheqjen, duke e bërë edhe më kaotike situatën në Vlorë. Ende nuk ka një qëndrim zyrtar të klubit kuqezi, por nuk është e vështirë të kuptohet se bëhet fjalë për mungesën e garancive minimale për të përballuar sezonin e ri futbollistik, që është në derë. Gerd Haxhiu vendos të tërhiqet ende pa nisur punën me skuadrën, e ndoshta ky fakt, pra mospasja në dispozicion e një grupi minimal për të vijuar përgatitjet, ka qenë arsyeja kryesore e këtij vendimi. “Rinovimi i Xhevahir Sukajt, afrimi i Ardit Hoxhajt një ditë më parë me sa duket ishte një sinjal i rremë se në Vlora gjëra po lëviznin në kahun e duhur. 10 ditë para ndeshjes së parë të kampionatit, si kurrë më parë, Flamurtari nuk ka ende një skuadër. E ç’vlerë do të kishte një gjeneral me ushtrinë e tij të vdekur?”, shkruan “Supersport” në shkrimin e saj. Por situata duket akoma më e zezë, edhe pse përforcimet vijojnë të kryhen nga klubi, a thua se nuk ka ndodhur asgjë. Kështu, Flamurtari vazhdon përforcimet për sezonin e ri, edhe pse më parë duhet të zgjidhë çështjen e trajnerit pas largimit të Gerd Haxhisë si dhe të drejtorit sportiv Artim Pollozhani. Në Vlorë dje zyrtarizuan dy firma të raportit të sulmit, Hoxhajn dhe Sukajn, ndërsa sot e kishte radhën një mbrojtës dhe një sulmues. Fillimisht u bë e ditur se Olsi Gocaj është zyrtarisht pjesë e skuadrës vlonjate. Një njoftim i shkurtër që tregon fillimin e bashkëpunimit me futbollistin. Më pas e kishte radhën Jurgen Vatnikaj, sulmuesi i radhës që i bashkohet atyre të prezantuar dje. Në fakt, sot pasdite pritet që skuadra të dalë në stërvitje por askush nuk di me siguri se si do rrjedhin ngjarjet më tej në klub dhe kush do të drejtojë këtë stërvitje. Gocaj vjen te Flamurtari pas disa viteve në radhët e Vllaznisë, por ai përfundoi “i padëshiruar” në që kur drejtimin e skuadrës e mori Mirsad Jonuz. Mbrojtësi u la jashtë fazës përgatitore dhe refuzoi të merrej në provë nga trajneri, duke zgjedhur që të qëndronte lojtar i lirë e tashmë ka gjetur edhe destinacionin e radhës në karrierë. Ndërsa Vatnikaj ka mbyllur marrëveshjen me Kastriotin ku luajti në sezonet e fundit. Duke u kthyer tek gjendja e klubit, konstatohet se ka një rritim të tifozerisë vlonjate e cila dje shfrynte në rrjetet sociale për këtë situatë të paprecedentë dhe këtë gjendje kolapsi të skuadrës, duke akuzuar jo vetëm administratorin Idrizi, por edhe kryetarin e Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli. Kuptohet, të gjithë kanë dështuar në ngritjen e një Flamurtari serioz, një skuadre që të jetë e aftë të rivalizojë në kampionat dhe aq më tepër të jetë e aftë të fitojë trofe. Në Vlorë duan futbollin e bukur dhe vlonjatëve u mungon ajo skuadra e fundviteve 80-të dhe fillimviteve 90-të, që bllokonte gjigandët e kryeqytetit dhe sfidonte për titull, madje arriti të eliminonte Partizanin e Beogradit në kupën UEFA, e madje të luante dy vite rresht si e barabartë me Barcelonën e madhe. Ky Flamurtar, i zhytur në krizë të thellë, është ku e ku larg asaj skuadre. Sepse mungojnë yjet e dikurshëm si Kushta, Ruci, Taho, Gjondeda, i ndjeri Ziaji e shumë të tjerë, ndërsa skuadra e tanishme as nuk po grumbullohet dot sepse nuk bëhen 11 lojtarë në fushë. Kjo është një gjendje katastrofike për një prej klubeve historike të futbollit shqiptar. Nëse vijohet kështu, atëherë Flamurtari rrezikon të ç’regjistrohet në FSHF.
Adriatik BALLA