Qeveria ka kërkuar nga Prokuroria rritje të hetimeve ndaj zyrtarëve të korruptuar. Dje gjatë një ceremonie, janë propozuar rekomandimet e Këshillit të Ministrave për Prokurorinë, mbi fokusin e punës gjatë vitit 2019 dhe vëmendja kryesore është te korrupsioni. Ishte ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, ajo që prezantoi dje rekomandimet, ndërsa të pranishëm ishin kryeprokurorja Arta Marku, kreu i KLP Gent Ibrahimi dhe kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla. Ministrja e Drejtësisë u shpreh se gjatë vitit 2019 prioriteti kryesor i qeverisë shqiptare do të jetë lufta kundër korrupsionit, e cila mbetet një ndër sfidat kryesore. Ajo tha se gjatë vitit të kaluar ka pasur një ulje të numrit të personave nën hetim edhe pse ka pasur rritje të çështjeve korruptive. “Gjatë vitit 2019 prioritet do të jetë dhe vijimi i reformës në drejtësi nëpërmjet reformës ligjore antikrim që qeveria shqiptare do të ndërmarrë nëpërmjet një procesi analizues dhe ndërhyrjesh në Kodin Penal. Një ndër prioritet kryesore mbi bazën e të cilës janë dhënë dhe rekomandimet përkatëse është lufta kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit mbetet një sfidë për vitin 2019 si masat parandaluese por edhe në masat ndëshkuese për hetimin, gjykimin dhe dërgimin përpara përgjegjësisë të gjithë ata të cilët janë të përfshirë në çështje korruptive. Nga të dhënat për vitin 2018, rezulton se ka një ulje të numrit të personave nën hetim pavarësisht rritjes së numrit të çështjeve të korrupsionit në krahasim me vitin 2017”, tha ajo.
Dosjet në BE
Gjonaj u shpreh se krijimi i rekomandimeve nga qeveria ka për qëllim ndjekjen penale dhe dënime për korrupsion, sidomos në nivele të larta. Po ashtu, ajo kërkoi hartimin e një regjistri me të gjithë personat e hetuar, kallëzuar apo dënuar për korrupsion, pasi të dhënat do shkojnë në BE për hapjen e negociatave. “Por ajo që përbën shqetësim dhe jam e bindur që bashkohemi në këtë çështje është pikërisht dërgimi për gjykim i një numri të vogël të procedimeve penale, rreth 8.6% të numrit total të çështjeve të regjistruara. Dhe në krahasim kjo edhe me vitin 2017 konstatohet një rënie e numrit të çështjeve me 112 çështje më pak. Për këtë arsye, qeveria ka rekomanduar krijimin i një historiku solid me hetime, ndjekje penale dhe dënime për korrupsion, sidomos në nivele të larta, jo vetëm si një ndër rekomandimet e BE për avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit por edhe në kuadër të zbatimit të reformës në drejtësi”, tha Gjonaj. Ministrja e Drejtësisë u shpreh se prokurorët duhet të përmirësojnë më tej cilësinë e hetimeve, duke theksuar se hetimet në nivele të larta është një prioritet i rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit. “Në drejtim të luftës kundër korrupsionit rekomandojmë një ashpërsim të politikave penale në drejtim të masave të sigurimit veçanërisht në rastet e korrupsionit të zyrtarëve të nivelit të lartë kjo në vlerësim të këtij prioriteti si më i rëndësishëm në luftën kundër kriminalitetit. Do të duhet që të bëhen përpjekje nga prokurorët për përmirësimin e cilësisë së hetimeve me qëllim suksesin e kërkesave të prokurorit në gjykatë pasi vihet re që një numër i ulët procedimesh përfundojnë me dënime nga gjykata”, tha ajo.
Ngritja e SPAK
Gjonaj u shpreh se një ndër proceset e rëndësishme të zbatimit të reformave në drejtësi është ngritja e SPAK. Ajo tha se me ngritjen e SPAK do të hetohen të gjitha veprat penale të nivelit të lartë, si dhe do të rikthehet besimi te publiku. “Një sërë procesesh të rëndësishme për zbatimin e reformës në drejtësi dhe për ngritjen e të gjithë kuadrit institucional të parashikuar është në proces, duke përfshirë këtu edhe procesin për ngritjen e Prokurorisë së Posaçme për çështjet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Jam besimplotë se ngritja e Prokurorisë së Posaçme për hetimin e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar do të jetë një hap shumë i rëndësishëm që do të ndihmojë në rifitimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe do të shënojë një gur themeli në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ajo. Por duke qenë se me shumë gjasa vendimi për hapjen e negociatave do të shtyhet për në shtator, qeveria shqiptare do të çoj në BE të gjitha dosjet që janë të gjykuara dhe të hetuara.
Elisjeda Kiko