Kryetari i Prokurorisë së Pogradecit, Sotir Kllapi u përball me sukses me procesin e vetingut. Ditën e djeshme trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u mblodh për të dhënë vendimin pozitiv për të, atë të konfirmimit në detyrë. Seanca për Sotir Kllapin u mbajt gjatë javës së kaluar, nga ku ra në sy se gjetjet e komisionerëve të vetingut për të ishin pozitive. “Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njofton se, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe zhvillimit të seancës dëgjimore më datë 08.05.2019 për subjektin e rivlerësimit, z. Sotir Kllapi, bazuar në ligjin nr. 84/2016, sot, më datë 13.05.2019 vendosi: Konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, Z. Sotir Kllapi, drejtues i Prokurorisë së Rrethit Pogradec. Vendimi i arsyetuar me shkrim nga trupi gjykues i kryesuar nga z. Lulzim Hamitaj, z. Roland Ilia relator, znj. Firdes Shuli anëtare, do t’u njoftohet subjektit të rivlerësimit, komisionerëve publikë dhe vëzhguesve ndërkombëtarë brenda 30 ditëve .
Ky vendim mund të ankimohet pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit nga subjekti i rivlerësimit dhe/ose Komisioneri Publik 15 ditë nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit. Ankimi depozitohet pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”, njoftoi KPK. Gjatë seancës dëgjimore, trupa gjykuese relatoi se prokurori Sotir Kllapi ka blerë kuota në fondin Raiffeisen INVEST në 21 tetor të vitit 2016, në vlerën e 2.5 milionë lekëve. Sipas KPK, burimi i krijimit i deklaruar nga subjekti janë të ardhurat e përfituara nga pagat dhe dhurimet në vite prej prindërve. Megjithatë trupa gjykuese i kishte gjetur Sotir Kllapës edhe pasaktësi të vogla, siç ishte e me mospasqyrimit të burimit të kursimeve cash në 2009 në shumën 1.1 milionë lekëve dhe 500 eurove. Relatori evidentoi gjithashtu në seancë se drejtuesi i Prokurorisë së Pogradecit nuk ka deklaruar shpenzimet për qiranë. Sipas deklaratave të pasurisë, Kllapi jetonte deri në fund të vitit 2017 në Qytetin Studenti përmes kontratës së qirasë me vlerë 8 mijë lekë në muaj. “Subjekti ka dhënë shpjegimet e tij se shpenzimet e qirasë janë në vlera më të vogla se ato që detyron ligji për të deklaruar”, tha relatori Ilia.