Agjencia e Trajtimit të Pronave dhe ish pronarët kanë nisur një betejë të fortë ligjore, sa i takon zgjidhjes së ngërçit me pronat. Shefja e ATP, Jonida Baçi, ka prezantuar dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve raportin vjetor të vitit 2018 dhe fokusi më i madh është përqendruar te pronat me probleme. Në muajin shkurt u mbyll procesi i vlerësimit të pronave, por ka rezultuar se janë 6 mijë dosje në 4 qarqe që janë tepër komplekse. Për këtë arsye, personave apo ish pronarëve u është kërkuar që t’i drejtohen gjykatës për një zgjidhje përfundimtare. “Në total, përgjatë 3 viteve deri më datë 23.02.2019 Agjencia e Trajtimit të Pronave ka vlerësuar 25 968 vendime përfundimtare për kompensim, vendime këto të dhëna gjatë periudhës 1993-2013, vlerësim prej të cilit rezultuan këto të dhëna: 20 710 u vlerësuan financiarisht me një vlerë 100 miliard e 655 milion e 738 mijë e 106 lekë. Kjo vlerë mund të ndryshojë, pasi ATP është në pritje të përfundimit të ankimimeve gjyqësore nga subjektet në bazë të afateve ligjore. Kanë mbetur pa trajtuar me vendim rreth 6950 kërkesa për të cilat subjektet aplikues mund ti drejtohen Gjykatës së Shkallës së Parë, proces i cili është parashikuar në nenin 34 të ligjit 133 të vitit 2015”, tha Jonida Baçi. Ndërsa sa i takonte procesit të shqyrtimit të kërkesave për njohje pronësie, drejtoresha e ATP tha: “Ky proces pësoi një ndalim pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.1 e cila konstatoi si të papajtueshme më Kushtetutën disa dispozita të ligjit që kishin të bënin pikërisht me këtë proces. Pas reflektimit të qëndrimeve të mbajtura nga ana e Gjykatës Kushtetuese, që u materializuan në aktet nën ligjore të miratuara në dhjetor të vitit 2017, konkretisht VKM 765 dhe 766. ATP ka vijuar punën për shqyrtimin e kërkesave për njohje pronësie duke shfrytëzuar maksimalisht të gjitha burimet njerëzore në dispozicion në mënyrë që të trajtonte kërkesat e sa më shumë subjekteve pretendues”. Pas mbylljes së vlerësimeve agjencia do të vijë punën vetëm për kompensimi e ish pronareve. Përparësi do të ketë kompensimi fizik për të cilin është krijuar një fond me toka dhe objektet shtetërore. Ndërkohë kompensimi financiar nuk mund të bëhet për më shumë se 20% të vlerës së pronës, dhe në çdo rast jo më shumë se 10 milionë lekë pjesa tjetër do të jepet kompensim fizik. Marrja në para 100% e kompensimit të pronës bëhet vetëm kur nuk ka fond tokash fizik.
Qytetarët i drejtohen gjykatës
Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve u ngrit shqetësimi edhe në lidhje me numrin e lartë të qytetarëve që i janë drejtuar gjykatës, si pasojë e mosdorëzimit në kohë të dokumentacionit. Deputetja e Partisë Socialiste Vasilika Hysi u shpreh se këta qytetarë janë në dyert e një sistemi drejtësie të korruptuar dhe që nuk adresojnë problemet e qytetarëve, duke shtuar se duhej të ishte kërkuar shtyrje e afatit për dorëzimin e dokumenteve të nevojshme. “Cila është arsyeja që kini hedhur rreth 6900 qytetarë në dyer e gjykatave të korruptuara dhe që nuk adresojnë asnjë problem të qytetarëve? Po ashtu shqetësuese janë edhe kallëzimet penale, nisur nga shumë vendime të prokurorisë që na kanë sjellë qytetarët ku rezulton që ka falsifikime por prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve për shkak se nuk gjendet autori i cili ka falsifikuar. Por prona e përvetësuar përmes vendimeve të regjistruar në Agjencinë e Trajtimit të Pronave janë me mijëra metra. Po ashtu shumica e vendimeve janë pushime, mosfillime. Janë pushime se nuk ka prova apo ka kaluar afati? Është bërë ankimi me vonesë dhe si do zgjidhet, sepse qytetarët që kanë vjedhur pronat dhe që rezultojnë që i kanë me firma të falsifikuara do i zotërojnë këtë tokë? Në 4 qarqe, Korçë, Gjirokastër, Berat dhe Elbasan janë bllokuar fondet”, u shpreh Vasilika Hysi.
Elisjeda Kiko