Ditën e djeshme në Gjykatën e Shkodrës është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Barush Bregut dhe mikut të tij Bajram Çekorja, të arrestuar mesditën e së shtunës në zonën e “Komunës së Parisit”, gjatë një operacioni në të cilin mori pjesë dhe RENEA. Togat e zeza të qytetit verior caktuan masën së arrestit me burg pa afat për të dyshuarin 33-vjeçarin Bregu dhe personin që policia e identifikon si bashkëpunëtorin e tij 21-vjeçarin, Bajram Çekorja. Gjatë seancës së djeshme e cila zgjati rreth çerek ore, Barush Bregu nuk ka pranuar të flasë duke mos thënë asnjë fjali përpara gjykatës. I riu 33-vjeçar më herët është i dënuar me katër vjet heqje lirie pas akuzës për kultivim të bimëve narkotike, e kryer në bashkëpunim, dënim i dhënë në vitin 2016. Ndaj Bregut rezultonte edhe një masë sigurie e pa ekzekutuar, “Arrest në burg”, për armëmbajtje pa leje, pasi në shtator të vitit 2018, gjatë një operacioni të zhvilluar nga policia, në banesën e tij u gjet një armë zjarri kallashnikov dhe municion luftarak. Gjithashtu Bregu është i skeduar si pjesëtar i një grupi kriminal dhe është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”. Përgjatë gjithë kësaj kohe ka qenë person i shpallur në kërkim dhe pas një viti u arrestua në Tiranë në banesë me qira tek “Komuna e Parisit”. Burime nga Policia e Shtetit bënë me dije se 33-vjeçari njihet si krahu i djathtë i Ibrahim Liçit autorit kryesor të dyshuar për vrasjen e vëllezërve Bilali më 30 mars të këtij viti dhe pjesëtar i familjes Liçi të cilët tashmë prej më shumë se një viti janë në përplasje me grupin tjetër kriminal Bajri edhe këto të fundit të arrestuar që në shtator të vitit të kaluar. Barush Bregu dyshohet nga policia e Shkodrës edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale që besohet se ka kryer së bashku me Ibrahim Liçin. Së fundmi uniformat blu kanë dyshime se Barush Bregu ka ndihmuar shokun e tij Ibrahimin në vrasjen e dyfishtë të vëllezërve Bilali, por edhe në ngjarje të tjera kriminale.
Arrestimi i 33-vjeçarit
Zona e Komunës së Parisit u rrethua mesditën e së shtunës nga forca të shumta policore. Pas informacioneve të uniformave blu se në këtë zonë fshihej një person me precedent penal dhe i dyshuar si pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal në Shkodër, Policia e Shkodrës në bashkëpunim me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, forca “Shqiponja” në drejtorinë e policisë Tiranë dhe RENEA, finalizuan operacionin e koduar “Kompleksi”, duke arrestuar 33-vjeçarin e shumëkërkuar. Për rreth 120 minuta policia rrethoi zonën, ndërsa në pikat më të larta të pallateve u vendosën edhe snajperë. Në operacionin e tre ditëve më parë morën pjesë edhe forcat RENEA, pasi i arrestuari ishte person me rrezikshmëri të lartë kriminale. Pas përfundimit të operacionit dhe arrestimit të të riut nëpërmjet një deklarate zyrtare për mediat Policia e Shtetit dhe ajo e Shkodrës thanë se Barush Bregu është pjesë e një grupi të rrezikshëm kriminal që operon në kryeqendrën e veriut. Gazeta “Sot” mësoi se 33-vjeçari është pjesë e grupit “Lici”. Ai është i dyshuar edhe si autor për ngjarje të tjera të rënda kriminale të ndodhura në qarkun Shkodër më parë, si dhe autor i dyshuar për “trafikim të lëndëve narkotike”. Kujtojmë se gjatë operacionit të së shtunës u arrestua në flagrancë dhe Bajram Çekorja 21-vjeç, banues në Shkodër për përkrahje të autorit, pasi e ndihmoi që të fshihej në Tiranë. Dy të rinjtë u arrestuan në një banesë të marrë me qira te Komuna e Parisit. Pas në Tiranë të Bregut dhe shokut të tij, ata janë transportuar në qytetin e Shkodrës, ku dje u njohën me masën e sigurisë, atë të “arrestit me burg”, të dhënë ndaj tyre.
Elvis Myrta