Mazhoranca refuzon presidentin, rrëzon dekretin për vetingun në polici, Lleshaj, Ndreu e Felaj shpërthejnë në akuza

0
353

Mazhoranca qeverisëse i ka dhënë ditën e djeshme një tjetër goditje Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit pak ditë më parë ktheu për rishqyrtim në Kuvend, ligjin për vetingun në polici, me argumentin se qeveria po tenton të kontrollojë këtë proces me anë të një strukture në varësi të saj, sikundër është SHÇBA. Por Komisioni i Sigurisë me shumicën e votave të deputetëve të PS ka rrëzuar dje dekretin e presidentit Meta për kthimin e ligjit të vetingut në Policinë e Shtetit. Ndërkohë që, vetëm tre vota shkuan pro dekretit të Metës, vota këto që i përkasin deputetëve të opozitës së re parlamentare. Të pranishëm për t’iu kundërpërgjigjur argumenteve të kreut të shtetit, ishin ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe zëvendësministri i Brendshëm, Juljan Hodaj. Ndërsa për të mbrojtur argumentet e presidentit, ishte Bledar Dervishi, ky i fundit këshilltari ligjor pranë Presidencës.

Lleshaj kritika presidentit

Duke folur para deputetëve, ministri Lleshaj shpërtheu në akuza ndaj Metës, teksa deklaroi se argumentet e sjella nga Presidenca janë absurde. Në këtë kontekst, Lleshaj theksoi se dekreti i presidentit Meta është paragjykues ndaj Ministrisë së Brendshme dhe se standardi i ligjit nuk është prekur. “Vetingun në polici i takon ta bëjë SHÇBA. Vetingu nuk është politik. Me gjithë respektin për presidentin dhe institucionin e Presidencës, po paragjykohet një institucion i rëndësishëm në vend siç është Ministria e Brendshme. Ministria e Brendshme është një institucion me rëndësi në vend, që bën më tepër sesa një proces vetingu. Standardi nuk është prekur aspak. Vetingu është një proces që nuk mbaron kurrë. Ja e kaluan sot vetingun, por ditën e nesërme ai polic vijon sërish të jetë në punë dhe në monitorim. Por dhe ata që do jenë të rinj në Polici do t’i nënshtrohen vetingut. Thuhet se janë kundër SHÇBA-s, por kjo është përtej absurdit, megjithë respektin që kam për punonjësit presidencës, pasi kjo është një paragjykim. Nuk mund të paragjykohet as nga Presidenti dhe as nga askush një strukturë kushtetuese si Ministria e Brendshme”, deklaroi ai. Më tej, ministri Lleshaj akuzoi presidentin Meta se është kthyer në paranojak dhe se pavarësia e vetingut nuk cenohet nga qeveria, sikundër pretendon kreu i shtetit. “Është e papranueshme, është një paranojë të paragjykosh ministrinë e Brendshme. Gjithashtu, as pavarësia e vetingut nuk është prekur. Ligji është kalimtar, ndërsa vetingu bëhet në çdo kohë. Kjo sepse edhe një polic që e kalon vetingun, nesër mund të bëhet pjesë e skemave mafioze dhe mund të largohet më tej. Pretendimi se SHÇBA komprometohet është absurd. Çdo hyrje në polici do i nënshtrohet vetingut”, nënvizoi Lleshaj.

Ndreu dhe Felaj shpërthejnë ndaj Metës

Kritika në adresë të presidentit Meta hodhën edhe deputetët e PS, Ermonela Felaj dhe Pjerin Ndreu. Ky i fundit, teksa ishte duke folur nën cilësinë e relatorit të ligjit, theksoi se argumentet e kreu të shtetit nuk qëndrojnë, pasi sipas tij, janë argumente politike. Në këtë kontekst, ligjvënësi socialist kërkoi nga kolegët e tij që ta rrëzojnë dekretin e Metës. “Argumentet e presidentit Ilir Meta nuk qëndrojnë. Meta në dekret nuk ka bërë argument teknike. Kështu që, qëndrimi i tij është politik. Të lidhësh Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme si të lidhur me ministrin, është absurde. Ligjit nuk i cenohen standardet. Ju ftojmë ta rrëzojmë dekretin e Presidentit të Republikës”, deklaroi Ndreu. Ndërsa kryetarja e Komisionit të Sigurisë i kujtoi Metës se ligji nuk është votuar vetëm me votat e PS, po edhe të opozitës. “Ligji ka marrë 88 vota, të cilën e kanë votuar edhe deputetë të LSI”, deklaroi Felaj.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here