Prokuroria e Tiranës urdhëroi dje arrestimin e një biznesmeni, që ushtron aktivitetin e tij në fushën e ndërtimeve dhe dy shtetas të tjerë, pasi dyshohet se kanë përfituar një pronë prej 25 mijë metrash katrorë në mënyrë të paligjshme.
Burime thonë se personat e ndaluar janë: Dritan Llanaj, Kadri Pazari dhe Arben Çaçi. Ndërkohë, nga hetimet e drejtuara nga prokurori i Tiranës Ervin Karanxha është zbuluar se shtetasit Kadri Pazari dhe Arben Çaçi kanë mundur të falsifikojnë vendimin nr.232 të vitit 2000 të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, vendim i cili u kishte njohur trashëgimtarëve të familjes Pazari pronësinë mbi truallin në fjalë, por jo kthimin e tij. Bëhet fjalë për një truall në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa gjithçka është konstatuar në momentin që blerësi i një pjese nga kjo pronë Dritan Llanaj kishte shkuar për të bërë regjistrimin e pronës.
Më tej, denoncim për rastin është bërë në Prokurori edhe nga një tjetër trashëgimtar i familjes Pazari, i cili nuk kishte përfituar nga shitja dhe tjetërsimi i kësaj prone.
Kështu, pas disa muajsh hetime të kryera nga Prokuroria, ka rezultuar se biznesmeni i ndërtimit dhe dy shtetasit e tjerë, ndër të tjera, dyshohet se kanë krijuar një skemë të pastrimit të parave. Burimeve nga Prokuroria e Tiranës bëjnë me dije se, sipas vendimit origjinal të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, pronarëve u njihej e drejta e parablerjes se objektit të Spitalit të Traumës kur ai të privatizohej.
Por, ky vendim është falsifikuar nga të hetuarit në një pjesë të tij dhe, më konkretisht, hetimet nxorën në dritë faktin se të dyshuarit kanë mundur të ndërhyjnë, duke i fshirë fjalisë një pjesë: “i kthehet z. Sheh Ali Pazari pronësia mbi këtë truall, kur spitali të privatizohet”, duke lënë vetëm fjalinë: “i kthehet z. Sheh Ali Pazari pronësia mbi këtë truall”. Por hetimet kanë nxjerrë edhe një tjetër fakt, ku duket se janë të përfshirë edhe zyrtarë.
Burime thonë se, përderisa Kadri Pazari e Arben Caci përmes mashtrimit kanë mundur të heqin nga dosja e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave vendimin e saktë të këtij institucioni dhe ta zëvendësojnë atë me dokumentin e falsifikuar në një pjesë të tij, është tregues se me ndihmën e zyrtarëve të Hipotekës, duke përdorur ryshfetin, trashëgimtarët e kanë regjistruar pronën në Hipotekë për ta shitur më pas. Hetimet për këtë skemë të tjetërsimit të pronës, vazhdojnë ende nga organi qendror i Akuzës.
SHITJA
Sipas hetimeve, rezulton se këta shtetas, me qëllim zhdukjen e gjurmëve të tjetërsimit të pronës shtet, të cilën e përfituan me dokumente false, e shkëmbyen atë sipërfaqe brenda territorit të Spitalit të Traumës me 600 metra katrorë tokë në pronësi të Dritan Llanajt me vendndodhje në Yzberisht, Tiranë.
Llanaj, i cili ka pretenduar se nuk ka pasur dijeni në lidhje me falsifikimin dhe se për këtë kishte bërë edhe shkëmbimin, me anë të kontratës së lidhur, ka aplikuar në Hipotekë duke kërkuar të pajiset me dokument pronësie.
Zyrtarët e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, pasi kanë marrë dokumentet edhe kanë nisur procedurat, kanë konstatuar se prona që ai pretendonte mbivendosej me pronë shtetërore.
Ndërkohë, edhe trashëgimtari tjetër i familjes Pazari në Prokurori ka denoncuar edhe shitjen e kësaj prone, duke vënë në dijeni hetuesit se po përdorej një vendim i falsifikuar sikur trashëgimtarëve të Ali Pazarit iu është kthyer prona e Spitalit të Traumës në një kohë që vetëm u është njohur si e tillë.