Festivali “Balkan Jazz” mbledh në Tiranë grupet më të mira të Ballkanit

    0
    462

    Festivali “Balkan Jazz” mbërrin edhe këtë vit në Tiranë. Grupe me artistë të njohur të muzikës xhaz nga Shqipëria po dhe vendet e tjera të rajonit të Ballkanit do të jenë për dy mbrëmje me radhë për publikun me koncertet e tyre. “Albanian Jazz Society”, sjell në Tiranë më 29 dhe 30 prill edicioni e dytë të një festivali të veçantë, që muzikën e ndërthur me komunikimin, shkëmbimin dhe lartësimin e eksperiencave më të mira simotra në vendet ballkanike. Tirana shton në katalogun e aktiviteteve ndërballkanike një eventiment të rëndësishëm dhe të standartit të lartë artistike, njëkohësisht shton resurset e paketës turistike që ofron në strukturën e turizmit kulturor. Netët e edicionit të dytë të festivalit do të zhvillohen Open Air Stage në hotel Rogner, në datat dhe panorama e pjesëmarrjes është e larmishme, janë grupe muzikore të rrymës xhaz nga Maqedonia e Veriut, Greqi, Mal i Zi, Serbi, Shqipëri, Kosovë, etj. “Albania Jazz Society” me president Gent Rushi, që është një nga artistët më të mirë të rrymës xhaz në Shqipëri edhe këtë vit është kujdesur që festivali të përcjell për publikun më të mirën e kësaj rryme muzikore. “Ne vijmë në edicionin e dytë të festivalit. Duke ndalur tek edicioni i parë që u zhvillua vjet, ne pamë se ishte më e thjeshtë për ta kthyer në traditë këtë festival. Në festivalin që u zhvillua vjet pjesëmarrja e publikut ka qenë jashtë parashikimeve, shumë më e madhe se parashikimet tona. Ky event është i vetëm në të gjithë hapësirën ballkanike”, u shpreh mes të tjerave drejtori artistik i festivalit Gent Rushi. Ky event sipas organizatorëve me një audiencë sa elitare aq edhe popullore i shtohet tashmë përpjekjeve të përbashkëta për ta shndërruar Tiranën në një oaz eventesh artistike, muzikore dhe në mënyrë të veçantë për të krijuar një kulturë muzikore xhaz sa më profesionale, bashkëkohore, krahasimisht e vlerësuar, e cila shkon tek spektatori e kuruar, mbresëlënëse.

    Ditët e festivalit

    Tirana do të jetë kryeqytet i muzikës për Ballkanin në këto ditë të festivalit. Krahas performancave të kuruara mjeshtërisht nga artistët pjesëmarrës dhe organizatorët, do të zhvillohen master-class me studentë të Universitetit të Arteve dhe Liceut Artistik si dhe do të përzgjidhet krijimtaria më e mirë xhaz ndër artistët shqiptarë të rinj dhe profesionistë, vlerësim që nxit dhe inkurajon krijimtarinë artistike në këtë fushë. Saksofonisti Ermal Rodi mes të tjerave bëri me dije se nuk do të mungojnë as workshopet  me studentë të arteve dhe të Liceut Artistik, nga ku më pas do të përzgjidhet krijimtaria më e mirë xhaz ndër artistët shqiptarë të rinj dhe profesionistë. “Risia është futja e eksperiencës edhe për të rinjtë. Ku mblidhen të gjithë muzikantët e rinj për të pasur një karrierë, grupet që do të performojnë janë “AJStrio” (Shqipëri), “Kind of blues band” nga Mali i Zi, “Human Touch trio” nga Greqia, ndërsa në natën e dytë, “Jazz, The ensemle of the University of Arts” (Shqipëri), Saso Popovski trio nga Maqedonia e Veriut, Ermal Rodi Quintet (Shqipëri) dhe “Jazztheria band” nga Serbia”, tha Rodi. Ndërsa bateristi Emiljan Dhimo shprehet se është një gjë shumë e mirë që muzika xhaz është zyrtarizuar dhe në Universitetin e Arteve. Data 30 Prill është Dita ndërkombëtare e muzikës Jazz, ndaj dhe nata e fundit e festivalit sipas organizatorëve do t’i ngjajë një feste muzikore shumëdimensionale, ku traditat e Ballkanit do të shpalosen nëpërmjet tingujve muzikorë dhe vitalitetit të artistëve, duke i çuar spektatorët të eksplorojnë. 

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here