Ndizet “lufta” për Mynyr Konin, Ilir Meta dhe PD-LSI në krah të rektorit, presidenti gati të refuzojë shkarkimin pavarësisht shkeljeve të ligjit

0
329

Kërkesa e Ministrisë së Arsimit për të shkarkuar Mynyr Konin nga posti i rektorit të Universitetit të Tiranës pritet të jetë një betejë mjaft e fortë mes Qeverisë dhe Presidencës. Rasti i Gent Cakajt tensionoi ashpër marrëdhëniet midis Ramës dhe Metës, ndërsa tani pritet që të përsëritet e njëjta gjë. Ligji e përcakton që është presidenti ai që firmos shkarkimin e Konit, por që dje janë dhënë sinjale shumë të forta se Meta nuk do e firmosë kërkesën e Besa Shahinit. Petrit Vasili doli në një deklaratë për mediat dhe kundërshtoi shkarkimin, duke dhënë sinjale të qarta se Meta do marrë në mbrojtje Konin. Gazeta ka mësuar se në prapavijë po luhet shumë fort dhe vetë rektori po lobon që të mos shkarkohet. Por Meta do e shfrytëzojë këtë rast si shumë të tjerë për t’u përplasur me qeverinë, pa marrë parasysh skandalet ku është zhytur rektori. Koni është gjetur në paligjshmëri nga MASR, por presidenti pritet ta refuzojë Besa Shahinin, duke thelluar luftën me qeverinë. Shumë shpejt do të kemi një betejë interpretimi ligjor, pasi ligji për arsimin e lartë detyron në një farë mënyre presidentin të firmosë shkarkimin. Në nenin 39, pika 10 thuhet që në rast të shkeljes së, ligjit ministri pezullon rektorin dhe i kërkon presidentit shkarkimin. Ky i fundit duhet të shprehet brenda një muaji mbi kërkesën. “Në rastet e kryerjes së veprave penale flagrante ose të shkeljeve të rënda të ligjit, të pamundësisë për të kryer detyrën dhe për rastet e parashikuara në Kodin e Etikës së institucionit të arsimit të lartë, ministri pezullon rektorin dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij, i cili shprehet brenda një muaji. Në rast se Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda këtij afati, propozimi i ministrit konsiderohet i miratuar në heshtje. Pas dekretimit të shkarkimit, ministri shpall zgjedhje të parakohshme brenda gjashtë muajve nga data e shkarkimit”, thuhet në ligjin e arsimit të lartë. Por ky përcaktim duket se do rikthejë debatet pasi sipas burimeve Meta pritet të ndjekë të njëjtën rrugë si me Gent Cakaj, duke argumentuar se ligji dhe Kushtetuta i japin atij të drejtë të mos marrë parasysh kërkesën e ministres.

PD krah Konit

Pas pezullimit nga detyra të Mynyr Konit, në vend të tij si rektor i përkohshëm u emërua Benard Dosti. Pikërisht kjo lëvizje ka sjellë reagime nga selia blu. Ish deputeti Luçiano Boçi u shpreh se kjo lëvizje është antikushtetuese dhe antiligjore. Përmes një deklarate për mediat, ai ka cituar nenin 39 pika 10 të ligjit, duke theksuar se nuk duhet të bëhet asnjë shkarkim pa miratimin e presidentit. Boçi deklaroi se Shahini ndodhet nën urdhrat e kryeministrit Rama, duke shtuar se mungesa e Gjykatës Kushtetuese ka sjellë sipas tij moszbatimin e ligjit. “Në një akt të paprecedent antikushtetues dhe antiligjor, ministrja e Arsimit, Shahini pezullon e shkarkon, rektorin e UT. Në të njëjtin urdhër bakalli, ka komanduar rektorin e ri. Nenet që i referohet urdhrit, nuk i japin asaj tagër ligjor për të dy vendimet. Por siç duket ministrja ka shumë probleme me kuptimin e shqipes. I duket vetja Shullazja e qeverisë. Ka probleme dhe me kuptimin e rolit që ka. Sipas nenit 39, pika 10, të cituar në urdhër, ministrja i propozon shkarkimin e rektorit, presidentit. Në rast mosshprehje nga ana e tij, për një muaj shpall zgjedhjet. Këtë e thotë neni 39/10, troç e shqip. Pra, Ligji nuk parashikon asnjë komandim dhe asnjë ekzekutim shkarkimi, pa fjalën e presidentit. Por Shahini ecën në gjurmët e urdhrat e Ramës. E të dy përfitojnë nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese”, tha Boçi.

Reagon Vasili

Në krah të rektorit ka dalë edhe partia e presidentit. Ish deputeti i LSI, Petrit Vasili u shpreh se shkarkimi i rektorit ka sjellë një dramë në universitetet e vendit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ka dalë kundër vendimit të ministres së Arsimit, duke theksuar se qeveria duhet të plotësojë 8 kërkesat për të cilat studentët dolën në protestë. “Tetë kërkesat e Lëvizjes Studentore ishin shumë të qarta. I dëgjuam të gjithë!! Mizerjen universitare, që nga konviktet ç’njerëzore, auditoret e zhveshur, bibliotekat studentore të vobekta e studentët e nëpërkëmbur i pamë të gjithë. Ky ishte një mal i madh me probleme të tmerrshme, që presin zgjidhjen. Por në fund fare, u propozua shkarkimi i një rektori ndër rektorët e shumtë të universiteteve anë e mbanë vendit. Drama e universiteteve shqiptare është më e dhimbshme se kurrë, sepse sot ajo është tallur keqas nga qeveria. Kërkesat e studentëve janë aty si kauzë, si dëshmi dhe si provë e lojës së pandershme me universitetin dhe zhbërjes së një kauze vizionare të studentëve përballe vulgarizimit dhe mediokritetit feudal të qeverisë dhe jo vetëm”, tha Vasili.

Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here