Senati i Universitetit Bujqësor të Tiranës është tërhequr nga vendimi duke rënë dakord që shkolla “Nënë Tereza” në Kodër-Kamëz të ndërtohet në të njëjtin vend të përcaktuar nga Bashkia e Tiranës dhe sipas projektit të hartuar prej saj. Senati ka deklaruar se nuk mund të mohohet nevoja që kanë banorët për një shkollë të ciklit parauniversitar, ashtu siç nuk mund të mohohet edhe interesi i lartë publik që vepra mbart në vetvete.
“Ndërtimi i shkollës është domosdoshmëri. Shkolla është vepër e mirëpritur. Takimet e ditëve të fundit qartësuan marrëdhëniet juridike dhe procedurale. Senati mbështet unanimisht marrëveshjen e lidhur mes Universitetit Bujqësor, Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Tiranës për paktin për universitetin”, thuhet në deklaratën e Senatit të Bujqësorit.
Kështu rektori i universitetit, grupi i pedagogëve dhe studentëve me në krye dhëndrin e ish kryeministrit Sali Berishës, Jamarbër Malltezi në protestë janë tërhequr duke i hapur rrugën shkollës së re. Tashmë shkolla “Nënë Tereza” do të ndërtohet sipas gjurmës së përcaktuar nga Bashkia e Tiranës në studimin për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në qytetin e Tiranës. Vendimi i Senatit erdhi pas arritjes së marrëveshjes për ndërtimin e shkollës së re në Kodër Kamzë midis Bashkisë Tiranë, Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Ministrisë së Arsimit, Sportit e Rinisë, pasi fillimisht UBT-ja pretendonte se në atë territor do të ndërtohej kampus. Tërheqja e Senatit të Universitetit Bujqësor erdhi një ditë pasi mbi 100 banorë të Kodër Kamëz i bërë një peticion ish kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkuan që dhëndri i tij të tërhiqet nga protesta kundër ndërtimit të shkollës. Banorët u shprehën në peticion se kërkesa për këtë shkollë është bërë prej kohësh, duke shtuar se shumë fëmijë arsimohen larg zonës për arsye se aty nuk ka asnjë shkollë.
“Ne, banorët e Kodër-Kamzës, ku jeton një komunitet prej rreth 30 mijë banorësh, ditët e fundit jemi çuditur nga protestat e organizuara nga disa pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të drejtuara nga dhëndri Juaj, z. Jamarbër Malltezi, të cilët, me sa kemi dëgjuar në media, kundërshtojnë ndërtimin e shkollës 9-vjeçare dhe gjimnazit “Nënë Tereza”. Dëshirojmë t’ju sjellim në vëmendje se kjo shkollë është një kërkesë të cilën ne ia kemi bërë prej vitesh Bashkisë së Tiranës, për arsye se në zonën tonë nuk ka as shkollë 9 vjeçare dhe as gjimnaz, dhe fëmijët tanë detyrohen të udhëtojnë çdo ditë me kilometra për t’u arsimuar në shkollën e Laprakës”, thuhet në peticion.
