Teatri Eksperimental jashtë vëmendjes së Ministrisë së Kulturës, fondet e projekteve përdoren dhe për organikën

0
752

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” me vlerësimin e artistëve dhe publikut, por pa vëmendjen e Ministrisë së Kulturës. Edhe pse një nga institucionet me më shumë shfaqje teatrore dhe publik që i ka ndjekur, por nga Ministria e Kulturës ka munguar vlerësimi i duhur. Një nga institucionet në varësi të Ministrisë së Kulturës, që dhe vitin e kaluar vijoi të jetë me më shumë aktivitete dhe publik, por buxheti vijon të jetë i paktë. Ministria e Kulturës në akordimin e buxhetit duket se nuk ka marrë parasysh që është një nga institucionet që duhet të kishte më tepër  fond për projektet artistike. Por jo vetëm buxheti, pasi edhe kërkesat prej vitesh për shtimin e organikës nuk janë marrë parasysh nga Ministria e Kulturës. Buxheti i Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në vitin që lamë pas ishte me 8.5 milionë lekë të reja për projektet artistike. Një buxhet që ka sjellë vështirësi në realizimin e tyre, ndërsa për 2019 buxheti që ka menduar Ministria e Kulturës është vetëm 9 milionë lekë të reja për projektet teatrore. Një rritje qesharake prej 500 mijë lekësh të reja për projektet artistike, duke treguar dhe njëherë që Ministria e Kulturës prej vitesh nuk ka vlerësuar institucionet për performancën dhe aktivitetin e tyre. Problemet me organikën vijojnë të jenë shqetësuese, edhe pse aktivitetet dhe shfaqjet janë të shumta. Pranë zyrës së shtypit të teatrit bëhet me dije se Ministrisë së Kulturës që nga viti 2014 i janë drejtuar për shtim të organikës në Teatrin Eksperimental, gjë e cila nuk është marrë parasysh. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli” edhe sot nuk ka në organikën e tij një punonjëse sanitare, një shitëse për biletat për shfaqjet dhe aktivitetet e tjera që zhvillohen. Me shumë veprimtari, por në këtë institucion në varësi të Ministrisë së Kulturës që nuk ka menduar ta ndihmojë është vetëm një teknik (audio dhe ndriçimi), dhe për skenën janë vetëm dy punonjës. Të gjendur në këto kushte pranë Teatrit Eksperimental bëhet me dije se angazhohen njerëz, të cilët paguhen nga fondi i projekteve, duke bërë që të ketë dhe më pak buxhet për jetën artistike. Duke parë se si janë lënë institucionet, për Ministrinë e Kulturës duket se me shumë vëmendje prej vitesh kanë marrë fjalët dhe jo ndihma konkrete. Herë pas here edhe vetë artistë të ndryshëm janë shprehur për vështirësitë dhe mungesën e vlerësimit me buxhetet e pakta për jetën artistike nga ministria.

Shfaqjet dhe aktivitetet në skenë

Statistikat e kulturës, tregojnë që Teatri Eksperimental është nga institucionet e tjera me më shumë shfaqje dhe publik. INSTAT bën me dije se të dhënat e statistikave sigurohen nga Ministria e Kulturës dhe janë marrë në shqyrtim institucionet e artit në vend. Në vitin 2018, Teatri Kombëtar Eksperimental sipas INSTAT është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, me 457 shfaqje, duke pasur rritje prej 42,8 përqind, krahasuar me periudhën e mëparshme. Po sipas të dhënave rritjen më të lartë në përqindje për numrin e vizitorëve/spektatorëve, në tremujorin e katërt 2018 e ka shënuar Teatri Kombëtar Eksperimental me 14,4 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në vitin 2018, Teatri Kombëtar Eksperimental ka pasur 65.989 spektatorëve/vizitorëve, duke shënuar rritje prej 51,5 përqind krahasuar me vitin 2017. Por edhe pse këto të dhëna merren nga Ministria e Kulturës duket që nuk ka menduar për të pasur rritje të buxheti, pasi vlerësimi vetëm me 500 mijë lekë të reja më shumë me buxhet këtë vit është shumë pak për një institucion teatror që ka arritje në jetën artistike. Por jo vetëm ky teatër vijon të jetë më buxhete të pakta, pasi dhe të tjera institucione të artit vazhdojnë me buxhete që janë problem për jetën artistike.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here