Arsenali përmbys Bate Borisovin, Napoli i Hysajt kalon në turin tjetër të Europa League

0
426

Liga e Europës nuk pati surpriza të mëdha në këtë raund të 32 skuadrave më të mira, pasi në tërësinë e tyre ekipet më të mira u kualifikuan më tej, duke siguruar fitore bindëse për vazhdimësinë. Një nga ekipet që kishte probleme në ndeshjet e para të këtij raundi ishte Arsenali, i cili kishte humbur në Bjellorusi një javë më parë ndaj Bate Borisovit, 1-0, teksa kishte mbetur edhe me 10 lojtarë në atë përballje, gjë që kushtëzoi humbjen. Këtë herë skuadra e njohur anglez kishte marrë masat e duhura për të mos pasur të papritura dhe ia doli të sigurojë një trepikësh që i mundëson kalimin në turin e 1/8 të finales së Ligës së Europës. Ndeshja e luajtur në “Emirates” nuk pati histori, sepse shqiptarët Granit Xhaka dhe Shkodran Mustafi u treguan në nivel maksimal, njëri duke dhënë asiste dhe tjetri duke shënuar gol. E thënë ndryshe, Arsenali përmbysi humbjen e parë në Bjellorusi përballë Bate Borisov, pasi në Londër triumfoi me rezultatin 3-0, duke u kualifikuar për në fazën e 1/8-ave të Europa Leagues. Autogoli i Volkov, Mustafi dhe Sokratis shënuan për Arsenalin, ndërsa mesfushori me origjinë nga Kosova, Granit Xhaka dhuroi dy asiste në këtë takim, duke ndihmuar skuadrën të vijojë më tej eksperiencën në Europë. Fitore mori edhe Napoli i mbrojtësit Elseid Hysaj, që mposhti Zyrihun me rezultatin 2-0, falë golave të Verdit dhe Ounas.

Hysaj ishte titullar në këtë takim, që gjithsesi nuk ishte shumë i rëndësishëm për napolitanët, pasi kishin fituar 1-3 në ndeshjen e parë. Në të vërtetë Napoli nuk e vuri në diskutim fitoren dhe kualifikimin dhe me kalimin në 1/8 e finales i jep përparësi vetes për ta pretenduar trofeun e Ligës së Europës. nuk do të jetë e lehtë, pasi në garë ka emra të mëdhenj si Sevilja, Arsenali, Zeniti e shumë të tjerë, kështu që rivaliteti për titullin është shumë i fortë dhe Napoli i Ançelotit e di mirë këtë. Duhet thënë ndërkohë që aktivizimi i Hysajt titullar ishte shenjë pozitive për mbrojtësin kuqezi, i cili pak nga pak po e rimerr veten, teksa sot luajti 90 minuta titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes. Edhe ndeshjet e tjera të kthimit në Ligën e Europës kishin emocione sa i takon rivaliteti por jo rezultatit sepse të mëdhatë kaluan më tej. Kështu, pas barazimit 2-2 në Ukrainë, Eintrahti siguroi kualifikimin në Frankfurt, pasi mposhti me rezultatin e thellë 4-1, Shakhtar Donetskun, në një sfidë ku këta të fundit bënë shumë pak për të shmangur eliminimin. Dinamo Zagreb, Zenit dhe Salzburgu ia dolën të kualifikohen, ndonëse kishin humbur në takimet e para në transfertë, ndërsa Vilareali mori një barazim 1-1 ndaj Sportingut, duke nxjerrë jashtë Europa League portugezët. Një ditë më parë, Lacio u mund nga Sevilja në fushën e spanjollëve 2-0, ku Thomas Strakosha nuk mundi të bënte asgjë në fushë dhe Lacio e tij eliminohet, me dy humbje në të dy sfidat ndaj spanjollëve, teksa vetë Strakosha mori kritika të forta. Padyshim, kalimi i Arsenalit në turin tjetër është domethënës dhe iu bën “topçinjtë pretendentë kryesorë për trofeun. Por në këtë aktivitet është pretendent edhe Çelsi, që madje konsiderohet skuadër favorite. Kështu që Napoli dhe Interi të mbetur në garë kanë shanse por jo maksimale.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here