U korruptua për të favorizuar persona që merreshin me transport të klandestinëve, ja pse u shkarkua kryegjyqtari i Sarandës

0
403

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka zbardhur vendimin e shkarkimit nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela. Ajo që bie në sy në vendim, është fakti se ai ka probleme të shumta me pasurinë, por jo vetëm. “Subjekti nuk ka arritur të japë asnjë sqarim bindës apo të paraqesë prova në lidhje me mospërputhjen e sipërfaqes prej 500 m² të shtëpi + truall të përfituar me AMTP-në dhe përfitimit prej tij të sipërfaqes prej 600 m², sipas vërtetimit të Njësisë Administrative të datës 13.10.2016; Megjithë shpjegimet e subjektit, mbetet e paqartë se si shtëpia + truall e pasqyruar në AMTP me sipërfaqe 500 m², u regjistrua me vendim gjykate me sipërfaqe 600 m²; Subjekti ka kryer deklarim të rremë përpara Komisionit, për mënyrën e përfitimit të kësaj pasurie nga babai i subjektit, duke e konsideruar këtë shtëpi si trashëgimi, gjë që bie ndesh me vendimin nr. 407, datë 12.10.1995 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Delvinë”, thuhet në vendimin e KPK, ku më lart janë listuar vetëm disa nga problemet e pasurisë të ish-kryetarit të Gjykatës së Sarandës.

Por përtej problemeve pasurore, gjatë hetimit të thelluar KPK ka konstatuar edhe se Alltun Çela ka probleme me figurën dhe është i papërshtatshëm për të vijuar detyrën. Në disa raste, ai ka marrë para nga persona të caktuar për favorizim në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore. “Dyshohet se gjyqtari i çështjes, A. Çela, ka ushtruar presion ndaj një ish-funksionari të urbanistikës Sarandë për të dhënë ryshfet, pasi ky i fundit në vitin 2006 është akuzuar nga prokuroria për shpërdorim detyre. Kryetari i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, A. Çela mund të ketë marrë një sasi të caktuar parash për favorizimin e dy shtetasve, të ndaluar për transport të klandestinëve me origjinë nga vendet arabe. Dyshohet se gjyqtari A. Çela ka marrë një shumë të caktuar parash për ndryshimin e masës së sigurisë së një shtetasi të akuzuar për ndërtim pa leje, shkatërrim prone, mospagim taksash dhe fshehje të ardhurash. Dyshohet se gjyqtari A. Çela ka ndikuar për favorizimin e çështjes së një shtetasi, lidhje e tij familjare”, thuhet në vendimin e KPK.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here