Kolegji i Posaçëm i Apelimit po përballet me bum ankimimesh. Qofshin këto ankesa nga gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, qofshin ankimime nga Komisioneri Publik, pranë KPA deri tani janë regjistruar plot 51 çështje. Pra, mund të themi që gjysma e vendimeve të KPK janë ankimuar duke bërë që e gjithë vëmendja të përqendrohet aty. Për disa prej ankimimeve organi kolegjial tashmë është shprehur me vendim. Të tjera çështje janë akoma në shqyrtim, ndërsa disa të tjera thjesht janë regjistruar dhe është caktuar trupa gjykuese, por jo data e seancës dëgjimore. Ata që i janë drejtuar më së shumti Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë gjyqtarët dhe prokurorët e shkarkuar. Për të kërkuar rrëzimin e vendimit të KPK, 28 të shkarkuar kanë trokitur në derën e KPA. Nga këta, vetëm për 14 janë marrë vendime, ndërsa duhet theksuar se Kolegji i Posaçëm i Apelimit në të gjitha këto raste ka lënë në fuqi vendimin e KPK. Më konkretisht, bëhet fjalë për çështjet e Fatos Lulos, Besim Trezhnjevës, Besa Nikëhasanit, Fatmir Hoxhës, Altina Xhoxhajt, Luan Kaloçit, Artan Lazajt, etj. Ndërkohë, pa marrë akoma një përgjigje nga trupa gjykuese e KPA janë Artan Broci, Arben Nela, Ervin Metalla, Alma Liçaj, Ramadan Troci, Entela Prifti, Fatos Qato, Shpëtim Kurti, Adriatik Cama dhe emra të tjerë. Për këtë të fundit KPA ka caktuar datën dhe pritet që të përballet me trupën gjykuese ditën e hënë.
Ankimimet nga IKP
Teksa të shkarkuarit e tjerë presin që organi kolegjial të shqyrtojë kërkesën e tyre, Komisioneri Publik i është drejtuar plot KPA plot 19 herë. Në të gjitha këto herë, Komisioneri Publik ka shprehur kundërshtinë ndaj vendimeve të rikonfirmimit të KPK për disa gjyqtarë dhe prokurorë. Komisioneri Publik është drejtuar pranë KPA për vendimet e Edmond Islamajt, Bashkim Dedjes, Alma Bratit, Astrit Faqollit, Antoneta Sevdarit, Nertina Kosovës, Gentjan Medjas, Besnik Muçit, Gentjan Osmanit, etj.. Ndër vendimet më të rëndësishme që ka marrë Kolegji i Posaçëm i Apelimit deri tani për ankimimet e depozituara aty është ai për ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Dedja u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Por dosja e tij përfundoi në Apel për shkak të ankimimit të Komisionerit Publik, i cili nuk u dakordësua me vendimin e KPK. Dedjen e “dogji” në KPA pasuria e tij. Sakaq, vlen të theksohet fakti se Kolegji i Posaçëm i Apelimit momentalisht ka edhe disa çështje në gjykim, ku mund të veçojmë atë për anëtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj dhe për prokuroren e Tiranës, Antoneta Sevdari. Për Islamajn KPA ka vendosur të pranojë kërkesën e Komisionerit Publik dhe të rihapë hetimin për pasurinë e tij. Deri tani për të janë zhvilluar disa seanca dëgjimore, por akoma nuk është marrë një vendim përfundimtar. Ndërsa për Antoneta Sevdarin nuk është marrë akoma një vendim nëse do të pranohet kërkesa e Komisionerit Publik për riçelje hetimi.
Në mars vendimi për Zaganjorin
Gjatë muajit mars pritet që Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë një tjetër vendim të rëndësishëm, atë për kryetarin e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Edhe Zaganjori, njësoj si Dedja u konfirmua në detyrë nga KPK, pavarësisht problemeve me pasurinë. Për këtë arsye Komisioneri Publik kërkon tani nga KPA prishjen e vendimit të KPK dhe shkarkimin nga detyra të tij. Duke u bazuar tek faqja zyrtare e KPA dhe renditja e çështjeve aty, bie në sy që pothuajse të gjitha çështjet para Zaganjorit janë shqyrtuar nga organi kolegjial. Kjo do të thotë se muaji mars do të sjellë vendimin përfundimtar për kreun e Gjykatës së Lartë, ndërsa pritshmëritë janë që të shkarkohet.
Mimoza Ibra