Maqedonia, ligj të ri për të ndjekur penalisht Presidentin

0
442

Ministria e Drejtësisë së Maqedonisë publikoi dje projektligjin për Prokurorinë Speciale Publike (PSP), i cili zgjeron kapacitetet e saj duke përfshirë ndjekje penale të papenguar për zyrtarët më të lartë të vendit si Presidenti, ambasadorët e emëruar dhe përfaqësuesit e tjerë jashtë vendit, personat e emëruar nga Presidenti, funksionarë të zgjedhur ose emëruar brenda dhe jashtë Kuvendit, në qeveri, në gjykata, në Prokurorinë Publike, apo njësitë e vetëqeverisjes lokale. Deri më tani, PSP ka qenë e autorizuar për hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të lidhura dhe që rrjedhin nga përmbajtja e përgjimeve të paautorizuar të komunikimeve të kryera në mes të viteve 2008-2015. Me fuqizimin e fundit të pakufizuar parashihet që PSP do të jetë në gjendje të hetojë dhe të ndjekë penalisht persona partiakë për shkelje kundër zgjedhjeve dhe votimit, dhe në çdo fushë tjetër publike. Propozim ligji i ri për Prokurorinë Speciale Publike që parashikon kompetenca për ndjekjen penale të korrupsionit në nivel të lartë pritet të marrë mbështetjen edhe të opozitës shqiptare, ndërkohë që VMRO-DPMNE me qëndrim të prerë do të dal së shpejti, pasi të jenë bërë analizat nga ana e komisionit juridik dhe ekspertëve juridik në këtë parti. Propozim ligji i ri nënkupton që prokurorët special në të ardhmen nuk do të kufizohen vetëm me ndjekjen e veprave penale që buronin nga bisedat e përgjuara.

VMRO, e pavendosur për prokurorinë speciale

Me ligjin e ri, opozita konservatore maqedonase VMRO-DPMNE ka ndryshuar disi mendim pë PSPS, pasi nuk është shprehur me përçmimin e zakonshëm, por tha se është diçka që duhet të studiojë. “Deri tani Prokuroria Speciale Publike ishte një institucion që kishte për qëllim t’i nxijë njerëzit dhe të shkatërrojë opozitën. Me ligjin e ri, gjëja e parë që mund të shohim është se për çfarë shërben, e pastaj do të vendosim. Megjithatë siç thashë në periudhën e ardhshme, kur do të dalin analizat nga ekspertët tanë juridik do të tregojmë qëndrimin tonë në opinion”, tha zëdhënësi Dimçe Arsovski nga VMRO-DPMNE. Nga partia Aleanca për Shqiptarët, thanë se ky institucion duhet të jetë pjesë kryesore e sistemit juridik gjyqësor. “Prokuroria Speciale duhet të jetë e pavarur si dhe pushteti t’i mbajë duart sa më larg kësaj prokurorie dhe gjithashtu do ta inkurajojmë që të procedojë, të hetojë lëndë të të gjithë pushtetarëve, por edhe të opozitës pa asnjë dallim të faktorëve politik, të ngjyrimeve partiake dhe etnike. Ne do ta përkrahim sepse vlerësojmë se deri tani ka pasur sukses, gjithashtu inkurajojmë që në të ardhmen të jetë po ashtu e paprekshme ndaj politikës dhe të jetë në shërbim të ligjit, të kushtetutës dhe të jetë e pa-kompromis ndaj atyre që shkelin ligjin dhe kushtetutën”, pohoi Flakron Bexheti.

Besa mbështet luftën kundër krimit

Nga partia shqiptare opozitare Besa thonë se përkrahin çdo ndryshimi që ndihmon luftën kundër krimit dhe korrupsionit. “Do të mbështesim çdo ndryshim që do të mundësojë punën e PSP-së pa pengesa në luftën e krimit dhe korrupsionit nga udhëheqësit e lartë shtetëror. Sundimi i së drejtës dhe përgjegjësia para ligjit në mënyrë joselektive është një nga postulatet e ndërtimit të një shteti që synon integrimin në NATO dhe BE. Në të gjithë këtë process, PSP është një nga hallkat kyçe të sistemit gjyqësor që po kalon nja fazë tranzitore pas një kapje nga shteti drejt tentativës për pavarësim nga politika”- tha në një deklaratë Lëvizja Besa. Ndërkohë, ish gjykatësi Trendafil Ivanovski tha për Alsat se propozimi ligji i ri i përgatitur nga Ministria e Drejtësisë është legjitim. Ai bazohet në faktin se PSP-ja tashmë është e përgatitur dhe e aftësuar mjaftueshëm për të vazhduar me punën e mëtejshme./Andi LAMKO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here