Prokuroria kopsit dosjen e Adriatik Llallës, në fund të dhjetorit vendoset fati i ish-kryeprokurorit, skadojnë afatet e hetimit

0
441

Prokuroria ka kopsitur dosjen hetimore ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Edhe pse u deshën rreth 1 vit hetime, gazeta ka mësuar se gjithçka po shkon drejt fundit. Në fund të muajit dhjetor Prokuroria e Krimeve të Rënda pritet që të vendosë se çfarë do të ndodhë me këtë çështje, do i shkojë gjykatës për gjykim, apo do të pushohen hetimet me argumentin se nuk ka vepër penale. Në fillim të muajit tetor prokuroria zgjati dhe me 3 muaj hetimet ndaj Llallës, me argumentin se ishte në pritje të letër-porosive që kanë shkuar jashtë vendit mbi aktivitetet e tij. Por burime nga Krimet e Rënda thanë se tani janë kthyer të gjitha përgjigjet. Gjermania ka sjellë përgjigjet, po ashtu dhe organe të tjera ligjzbatuese në vend kanë vënë në dispozicion të prokurorisë të gjitha informacionet e kërkuara. Duke qenë se në fund të vitit skadon afati i hetimeve, prokuroria duhet të marrë një vendim se çfarë do të bëjë me dosjen e Llallës. Shanset janë që ajo të shkojë për gjykim dhe më pas të jetë gjykata që do të vendosë nëse ish-kryeprokuror ka shkelur ligjin apo jo. Ajo që e tregon këtë është se në të tre shkallët e gjyqësorit u vendos që të mos hiqet sekuestroja për pasurinë e Llallës, pasi prokuroria ka bindur gjykatën se kemi shkelje të ligjit. Megjithatë, do jetë prokuroria që do të vendosë në fund se çfarë do të bëjë. Llalla akuzohet për shpërdorim detyre, fshehje pasurie, pastrim parash dhe mosdeklarim të parave në kufi. Sa i takon shpërdorimit të detyrës dyshohet se ka pasur abuzime me tendera, pasi një tender ka përfituar dikush me të cilin Llalla ka bërë shtije dhe blerje pronash. Sa i takon pastrimit të parave dyshimet u ngritën sepse Llalla bënte rivlerësime të shpeshta të pronave. Ai i blinte lirë dhe më pas i rivlerësonte duke rritur ndjeshëm çmimin. Po ashtu dyshohet se nuk ka bërë deklarim të saktë të pasurisë. E vetmja gjë që priste prokuroria ishte përgjigja nga Gjermania. Llalla dyshohet se ka dalë në kufi me rreth 60 mijë euro cash. Ai ka deklaruar se i ka përdorur për shkollimin e fëmijëve dhe ju kërkua ndihmë Gjermanisë për të vërtetuar një gjë të tillë. Përgjigjja e saj ka ardhur në prokurori dhe tani puna është drejt mbylljes.

Skema e pastrimit të parave

Gazeta ka siguruar informacione nga dosja hetimore e prokurorisë, ku tregohet e si ish-kryeprokurori dyshohet se ka kryer pastrim parash. Prokuroria ka dyshime se paratë e vëna nga korrupsioni janë investuar në prona dhe më pas është bërë ndryshimi i vlerës së tyre. Në bazë të deklarimeve të pasurisë që ka bërë Llalla pranë ILDKP, ai çdo vit ka bërë rivlerësim të tokave. Ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruese si ka shitur shumë shtrenjtë. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar. Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja. E njëjta gjë ka ndodhur me një tokë në Qeha Shytaj në Tiranë. Ai e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja. Por në maj të 2017 është rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja, ose 360 milionë lekë të vjetra. ILDKP ka zbuluar se e njëjta gjë ka ndodhur dhe me prona të tjera, kryesisht toka, të cilave u është ndryshuar vlera në periudha shumë të shkurtra kohore. Këto lëvizje të tij kanë bërë që të ketë dyshime për pastrim parash dhe pronat janë vënë në sekuestro.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here