Angela Merkel: Gabuam me emigracionin, më shumë siguri dhe unitet në BE

0
527

Në fjalimin e saj madhor e ndoshta të fundit në Parlamentin Evropian, dje në Strasburg kancelaria gjermane Angela Merkel ka bërë thirrje për unitet në Bashkimin Evropian për sigurinë, emigracionin dhe disiplinën e shpenzimeve, tema për të cilat tha se nevojitin krijimin e një ushtrie të mirëfilltë të Evropës. Merkel ka folur kundër rrymave të mendimit populist e nacionalist që sipas saj shkaktuan kaosin me emigracionin në bllok, edhe pse pranoi se BE duhet të kishte kuptuar më shpejt masën e problemit të tre viteve më parë. “Kuptuam shumë me vonesë se çështja e refugjatëve është një problem i përbashkët në Evropë, por respektimi i të tjerëve nuk në kontradiktë me interesat vetjake të kombeve”, tha ajo. Merkel pranoi se nuk duhet të kishte lejuar më shumë se 1 milionë emigrantë në Gjermani gjatë krizës së 2015, duke argumentuar se BE duhet të kishte insistuar më shumë me vendet e tjera të bllokut për të ndarë barrën. “Ne po shikojmë që prej emigracionit po hidhen dyshime mbi vlerat tona, por duhet të kemi unitet dhe vendet duhet të punojnë duke lënë mënjanë egot kombëtare për të mirën e bllokut. Evropa mund të jetë një zë për botën vetëm nëse është e bashkuar, prandaj duhet të tejkalojmë egoizmin kombëtar”, tha Merkel në vizionin e saj për të ardhmen e Evropës.

Ushtria e BE

Audienca e PE mundohej të pranonte pikat e parashtruara prej udhëheqëses në largim, por durimi dukej se u tendos kur ajo përmendi me insistim krijimin e një ushtrie të plotë e të integruar të Bashkimit Evropian, që të funksionojë në ndërthurje me atë të NATO-s. Teksa në sfond u dëgjuan disa të thirrura e kundërshtime, Merkel qeshi e tha: “Më vjen mirë për këtë! “paskam nevrikosur disa!” Merkel i bëri jehonë idesë së prezantuar disa ditë më parë dhe nga presidenti francez Emmanuel Macron, duke thënë se Evropa duhet të ketë ushtrinë e saj të madhe e të kompletuar, në mënyrë që askujt të mos i shkojë në mendje ta sulmojë. “Kjo është shumë e rëndësishme. Nëse shikojmë zhvillimet e viteve të fundit, kuptohet që duhet të punojmë me vizionin e krijimi të ushtrisë së vërtetë evropiane. Një ushtri e përbashkët evropiane që të mos ketë më kurrë luftë në Evropë”, tha Merkel, në komentet që nga shumë komentatorë u quajtën ‘luftënxitëse’. “Ne mund të jemi një plotësim i mirë për NATO-n. Do të ishte shumë më e thjeshtë të bashkëpunohet me ne nëse kemi 160 sisteme të ndryshme armatimi, në një kohë kur SHBA ka 50 apo 60 të tilla”, tha Merkel, duke iu referuar joshjes tregtare me vendet e tjera, si e lidhur ngushtë me forcën ushtarake.

Brexit, plagë e rëndë

Në fjalimin e saj kancelaria gjermane pranoi gjithashtu se dalja e Britanisë nga BE është një plagë e rëndë, por vlerësoi punën e bërë në arritjen e akordit për marrëdhënien e ardhshme mes dy palëve, çka dje dukej se ishte pranë finalizimit. “Mbretëria e Bashkuar është një vend që së shpejti del nga BE, dhe kjo është një plagë e thellë”, tha Merkel, duke ngritur lart negociatorin e BE për marrëveshjen e Brexit, Michel Barnier. “Ne të gjithë duhet ta duartrokasim për punën e tij”, tha ajo. BE dhe qeveria britanike kanë pranuar dje se janë pranë arritjes së marrëveshjes për marrëdhënien mes palëve pas Brexit duke thënë se “mbeten vetëm disa çështje të vogla” për zgjidhjen. Pas prezantimit të situatës nga kryeministrja May në kabinetin qeveritar, burimet britanike thanë se kishte “optimizëm nga të dyja palët”, teksa negociatat ende vazhdojnë në Bruksel. Ministri britanik i tregtisë Liam Fox tha se “diskutime të vështira” ende vazhdonin për çështjen e kufirit të Irlandës. Zhvillimi pozitiv vjen në një kohë kur Britania po përgatitej për disfatë mbi marrëveshjen, dhe në një kohë presioni të brendshëm për të publikuar përmbajtjen e negociatave. Partnerët e vegjël të koalicionit të May, Demokratët Unionistë kanë thënë se do të bashkohen me opozitën laburiste për mocionin e publikimit të konsultimeve të kabinetit./Andi LAMKO

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here