Sipas studimit të realizuar nga organizata studentore ‘Qëndresa Qytetare’ rezulton se të ardhurat që përfitohen nuk shpenzohen për të siguruar mjetet e nevojshme për studentët në fakultet, por për kënaqësi vetjake të pedagogëve.
Studimi është bërë për tre universitete publike në Tiranë, “Aleksandër Moisiu” në Durrës dhe “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan.
Mësohet se mbi 1 miliard lekë të vjetra ka shpenzuar Universiteti i Durrësit për rikonstruksione ndërtesash dhe pajisje zyrash, ndërsa Universiteti i Elbasanit ka blerë një automjet pranë kompanisë ‘Hyndai’ me vlerë 76 milion lekë.
Sakaq, një tjetër pikë ku është ndalur ky studim janë edhe shpenzimet marramendëse për ruajtjen dhe sigurimin e ndërtesave.
Nga monitorimi rezulton se Universiteti i Tiranës ka shpenzuar vlerën 21, 304, 490 lekë, Universiteti i Durrësi 10, 780, 030 lekë dhe Universiteti i Elbasanit, 28,001,297 lekë. Sipas monitorimit shërbimi i ofruar në këto fakultete nuk i justifikon shifrat që zënë një shumë të konsiderueshme, të cilat burojnë nga tarifat e studentëve apo edhe nga buxheti i shtetit.
Më tej në studim thuhet se Universiteti i Tiranës nuk ka kryer asnjë transaksion për nënkategorinë Bursa Studimi për këtë vit akademik dhe ka shpenzuar 45, 577, 368 lekë që lidhen kryesisht me vendime gjyqësore apo largime të drejtpërdrejta nga puna.
Në fund të studimit shoqata jep disa rekomandime për Kontrollin e Lartë të Shtetit, ku i kërkon të ndërhyjë menjëherë nëpërmjet auditimit profesional të universiteteve publike për të zbuluar shpenzimet abuzive.