Ka përfunduar protesta e banorëve të “Astirit”, të cilët ditën e sotme e zhvendosën përballë godinës së Bashkisë së Tiranës.
Pas rreth 90 minutash, banorët kanë liruar rrugën e bllokuar, segmentin kryesor të Unazës së Vogël përballë bashkisë në shenjë proteste.
Banorët kërkuan takim me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe i kanë lënë atij një afat prej 24 orësh që të organizojë një takim me një përfaqësi banorësh, që preken nga projekti i “Unazës së Re”.
Aktualisht, situata është normalizuar dhe protestuesit janë shpërndarë paqësisht, për të vijuar një tjetër sërish nesër në orën 10.00. Ata kërkojnë dëmshpërblimin e banesave që do të shemben në kuadër të projektit me vlerën e tregut.
Ndërkohë, përgjatë këtyre 90 minutave pati edhe momente tensioni, pasi policia e cilësoi protestën të paligjshme dhe se nuk kishin marrë leje për tubimin, ashtu si edhe gjatë momentit kur fasada e bashkisë u godit me vezë.
Nga ana tjetër, nisma e banorëve u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Demokratike dhe përfaqësues të shoqërisë civile.