Çështja “Lleshi”, Franca mesazh Metës: Zgjidhja e situatës është urgjente, autoritetet kompetente të gjejnë konsensus

0
432

Zërave të ndërkombëtarëve që i dërgojnë mesazhe presidentit Ilir Meta për çështjen e Sandër Lleshit iu shtua dje edhe Franca. Ambasadorja franceze, Christine Vasak gjatë një vizite në Korçë komentoi ditën e djeshme përplasjen mes kryeministrit dhe presidentit. Sipas saj, Kushtetuta është e qartë, ndërsa theksoi se kësaj çështjeje duhet t’i jepet zgjidhje sa më parë sepse është urgjente. Ajo u shpreh shpresëplotë se kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta do ta gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Unë mund të reagoj si juriste, por nuk më takon mua dhe kolegëve të mi të reagojmë për këtë situatë. Mendoj që, si kryeministri, ashtu edhe presidenti janë persona me eksperiencë në politikë që kanë shkëmbime permanente mes tyre dhe që, e dinë shumë mirë se çfarë duhet të ndodhë. Është e nevojshme, si në këndvështrimin e politikës së brendshme, ashtu edhe për politikën e jashtme dhe këtu duhet të kemi besim tek autoritetet kompetente që të gjejnë një zgjidhje, sepse vërtet është urgjente”, tha diplomatja franceze. Christine Vasak shtoi se situata kërkon zgjidhje për shkak edhe të luftës kundër krimit dhe korrupsionit të nisur nga qeveria. “Ecuria e Shqipërisë është e qartë ashtu siç është gjurmuar, ose janë ngritur vijat e përgjithshme 26 qershorin e vitit të kaluar dhe këtu bën pjesë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar e të tjerat që ju i dini. Iniciativa domethënëse janë ndërmarrë, por duhet të ndiqen dhe të thjeshtohen. Duhet të kemi besim në autoritetet shqiptare për të ndjekur realizimin e objektivave sepse koha shpejton”, deklaroi Vasak. Ajo kërkoi zgjidhje urgjente edhe për Gjykatën Kushtetuese pasi theksoi se kthimi i saj në funksion është i nevojshëm për demokracinë në vend. Kujtojmë që edhe ambasadori i BE, Luigi Soreca kërkoi një Ministri të Brendshme funksionale dy ditë më parë, ndërsa vlerësoi figurën e Sandër Lleshit. “Komuniteti ndërkombëtar e vlerëson punën dhe reputacionin e z. Lleshi. unë mund të konfirmoj atë që tha Fleckenstein se z. Lleshi është një zyrtar i lartë, mjaft i njohur dhe i trajnuar nga komuniteti ndërkombëtar”, tha Luigi Soreca.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here