Volpone”, vepër e dramaturgut anglez Ben Jonson vjen nën regjinë e Adonis Filipit për dy mbrëmje me radhë në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivgoli”. Premiera e teatrit “Skampa” vjen me interpretimin e aktorëve Helidon Fino, Ligoraq Riza, Muharrem Hoxha, Ilirda Bejleri, Mario Elezi, Xhuliano Brisku, Antoneta Doka, Dhimitër Topuzi, Artan Skënderasi dhe Elona Mamo.
“Volpone” është loja më e mprehtë dhe komike, në lidhje me paratë dhe moralin në shekullin e shtatëmbëdhjetë, një lojë që mbetet çuditërisht aktuale edhe katër shekuj më vonë. Komedia përshkruan egoizmin e fshehur nën fjalimet moralizuese, epshin dhe ndjesinë e pronësisë, të maskuar në formën e dashurisë dhe martesës, si dhe cinizmin që shitet si drejtësi e mirëfilltë. Snobizmi, lakmia, kopracia, parazitizmi dhe lufta e përhershme mes klasave të ndryshme shoqërore janë disa nga temat që rrotullohen në vorbullën e kësaj vepre. Kjo shfaqje vjen në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli” më 8-9 nëntor ku publiku do përjetojë dramën, satirën dhe komedinë. Në një prononcim të tij regjisori Adonis Filipi shprehet se “Volpone” ishte një propozim i ardhur nga Qendra e Artit drejtoria e teatrit “Skampa”.
Regjisori Filipi cilëson për autorin e veprës se Ben Johnson, që është një dramaturg i njohur në literaturën botërore. “Një projekt i diskutuar me drejtorinë e teatrit “Skampa” një vit më parë. Vepra “Volpone” është ndër më të spikaturat në repertorin e dramaturgjisë botërore. Një vepër, që është adaptuar, por që në origjinal është e autorit Ben Johnson bashkëkohës i Shekspirit, një dramaturg tepër me vokacion në literaturën botërore”, pohon regjisori Adonis Filipi. Regjisorit Adonis Filipi thotë se kjo është një vepër, që ka gjallëri personazhesh. “Produksioni në fjalë është një impenjim jo i vogël për mua. Është një vepër që vjen për herë të parë dhe ne jemi përpjekur të kemi një qasje sa më bashkëkohore dhe vizionare, e cila të transmetojë idetë dhe të përcjellë emocion”, shprehet mes të tjerave regjisori Filipi. Kostumet dhe skenografia janë përgatitur nga Blagoj Micevski. Puna për këtë vepër teatrore ka nisur për regjisorin Filipi pas asaj me titull “Elektra” në Kinë.