Nga Korça ku po zhvillon një takim dy-ditor me takime në këtë qark, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përveç akuzave në drejtim të qeverisë Rama, ka komentuar edhe vendimin e Presidentit Ilir Meta për të mosdekretuar gjeneralin Sandër Lleshi si ministër i Brendshëm.
Basha ka thënë se Meta ka kompetenca që ia njeh kushtetuta. Ai i ka kthyer përgjigje edhe Ramës për SMS-në që ai iu dërgoi dje deputetëve të PS, që të mos komentonin vendimin e Metës.
“Presidenti ka kompetencat e tij kushtetuese dhe jam i sigurt që ai do të japë të gjitha për aspektin kushtetues për dekretin e ministrit të Brendshëm të propozuar nga Rama. Një gjë është e sigurt, që lëvizja e ashpër nuk është lojë shahu. Është dhe do të jetë vetë largimi i kryeministrit Rama. Vendi është pa kryeministër, pa gjykatës, pa prokurori. Përgjegjësi për këtë, është se qeveria është kthyer në një organizatë kriminale dhe përgjegjësia ngelet mbi Ramën.”, tha kryedemokrati.
Deklarata e Bashës vjen një ditë pas një njoftimi nga Presidenti Ilir Meta, ku thuhej se kreu i shtetit nuk ka krijuar një bindje të plotë për gjeneral Sandër Lleshin në krye të Ministrisë së Brendshme.
Vendimi i Metës për të mos dekretuar Lleshin, e lë vendin në një ngërç institucional.