PD-LSI nisin organizimin për protesta, Basha piketon 8 dhjetorin, Berisha-Kryemadhi rinisin presionet për të shkuar tek revoltat

0
400

Opozita shqiptare po përgatitet t’u rikthehet protestave. Edhe pse që prej muajit shtator çdo ditë është deklaruar nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha se do të ketë protesta kundër qeverisë, duket se data që përflitet është 8 dhjetori. Kjo datë është e shënuar për demokratët, pasi është dita e rinisë, kur 29 vjet më parë studentët protestuan për rrëzimin e regjimit komunist. Sipas burimeve të gazetës, Basha duket se do t’i thërrasë qytetarët në protestë, pikërisht në 8 dhjetor, me qëllim kujtimin e kësaj dite jubilare dhe frymëzuese për demokratët. Mësohet se baza demokrate, por edhe eksponentë të lartë të Partisë Demokratike, përfshi këtu deputetët, po angazhohen fuqishëm, duke zhvilluar takime të ndryshme, me qëllim mbledhjen e sa më shumë njerëzve në protestë. Madje, këtë fakt e tregon fare qartë edhe axhenda e kreut të selisë blu, i cili ditët e fundit është parë në disa qytete të ndryshme të vendit, duke zhvilluar takime me qytetarët, ku në fokus ka qenë edhe thirrja për protesta kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Nga ana tjetër, gazeta mësoi se Basha ka kërkuar nga vartësit e tij që të ftojnë qytetarët në protestë, duke ua bërë të qartë se duhet dhe do të jetë demokratike, ku në fokus të thirrjeve do të jenë skandalet e qeverisë. Pra, Basha synon që protesta e 8 dhjetorit jo vetëm që duhet të jetë demokratike por duhet të jetë edhe e madhe, madje më e madhja e organizuar ndonjëherë nga Partia Demokratike, gjatë kohës që Basha e drejton këtë parti. Megjithatë, data 8 dhjetor do jetë edhe lëvizja e fundit e demokratëve, pasi pas kësaj date mund të rikthehen në Kuvend. Sidoqoftë, edhe ky skenar do varet nga qëndrimi i kryeministrit Edi Rama, nëse ky i fundit do të reflektojë pas protestës së opozitës, duke marrë në konsideratë kërkesat e saj. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se ç’farë do të ndodhë më konkretisht.

Berisha-Kryemadhi rinisin presionet

Teksa kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po punon që protesta e opozitës të jetë e madhe dhe sa më demokratike, nuk po ndodh aspak kështu me Berishën dhe Kryemadhin. Ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi kanë rinisur presionet ndaj kreut të PD, Lulzim Basha duke i kërkuar që ta çojë vendin drejt revoltave dhe mosbindjes civile, si e vetmja rrugë që mund të ndiqet për rrëzimin e Ramës. Dy ditë më parë Berisha ka deklaruar edhe njëherë se e vetmja zgjidhje për të larguar Ramën është revolta popullore. “Rrugëdalja e vetme është përmbysja e Edi Ramës me revoltë popullore”, deklaroi ai. Më herët, po ashtu Berisha u shpreh në një studio televizive se qeveria sipas tij, duhet të përmbyset me revolta. “Plani B është përmbysje e qeverisë me revoltë popullore, e më pas do zhvillojmë zgjedhje të lira, e të ndershme”, nënvizoi ai. Ndërkohë edhe kryetarja e saj Monika Kryemadhi ka bërë thirrje pak ditë më parë për revolta. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Kryemadhi shprehet qartë se ka ardhur kohë për revolta, si e vetmja mënyrë për të rrëzuar Ramën nga pushteti. “Situata në të cilën Edi Rama ka futur Shqipërinë, nuk ka më kthim prapa. Ka vetëm një mënyrë shpëtimi, Revolta”, thuhet në statusin e publikuar në faqen zyrtare të LSI në rrjetet sociale./ Rigels SELIMAN

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here