Ditën e djeshme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda është mbajtur seanca ndaj Fadil Kasemit. 53-vjeçari i cili po gjykohet për vrasjen e ish gruas së tij gjyqtare, Fildez Hafizi, ka dëshmuar mesditën e djeshme përpara togave të zeza. Ai ka thënë se me të shoqen marrëdhëniet i kishin shumë mirë, deri në momentin që nisi shkollën për tu bërë gjyqtare. Kasemi ka treguar me detaje njohjen me ish gruan që ekzekutoi verën e vitit të kaluar. Ai është shprehur përpara gjykatës se në fillim ka pasur një marrëdhënie mjaft të mirë me bashkëshorten deri në momentin kur ajo u bë gjyqtare. Pyetjes së prokurorit Dritan Prençi, si i keni pasur marrëdhëniet me viktimën Fildez Hafizi, Kasemi ka filluar përgjigjen e tij duke treguar se si është njohur dhe deri në momentin kur janë konfliktuar bashkë. “Unë jam Fadil Kasemi i datëlindjes 4 mars 1965. Nga vitet 1990 deri në vitet 2000 kam qenë emigrant, ku kam punuar për gati 10 vjet. Në vitet 2000 erdha në Shqipëri me idenë për të krijuar familjen time. Në këtë periudhë nëpërmjet disa miqve të përbashkët, jam njohur me të ndjerën, ku pas disa daljeve ramë dakord të fejoheshim. Familja e të ndjerës ka qenë në gjendje ekonomike jo të mirë dhe bëmë fejesë të përbashkët. Më pas u martuam, në martesë e futa në punë edukatore kopshti, pasi ajo kishte mbaruar ciklin e ulët. Pas disa viteve punë si edukatore më kërkoi që të bëhej drejtoreshë, dhe ja kam plotësuar dëshirën që nëpërmjet miqësive dhe mundësive ekonomike që kisha ta bëja drejtoreshë në kopshtin nr 24 në kryeqytet”, ka thënë Fadil Kasemi përpara gjykatës ditën e djeshme. 53-vjeçari, ka vazhduar deklarimet e tij duke u shprehur se ka ndihmuar dhe vjehrrin dhe vjehrrën për ti transferuar në kryeqytet. “E ndjera më kërkoi që të kishte prindërit afër me pretendimin se ishin vetëm. Pa hezitim ja plotësova dëshirën duke i marrë një shtëpi me qira dhe me shpenzimet e mia ja mobilova banesën. Qeranë e shtëpisë e kam paguar gjithmonë unë, dua të theksoj e nderuar gjyqtare se përgjatë 15 viteve martesë që unë kam pasur me të ndjerën, në 80% të rasteve prindërit e saj kanë ardhur me ne. Gjithashtu dua të shtoj se gjatë kohës kur ka punuar në kopsht, ajo nuk ka sjellë asnjë lekë në shtëpi, duke i mbajtur të gjitha për përdorim vetjak. Paguante vetëm 100 euro në muaj në bankë për fëmijët”, ka shtuar ai. Fadil Kasemi ka treguar se për shkak se nga ekonomia ishte mirë, pasi merrej me tregti, e ka ndihmuar dhe ka kontribuar financiarisht për Fildez Hafizin, për ta shkolluar në degën e juridikut. “Pasi e bëra drejtoreshë në kopsht më kërkoi për të vazhduar si shkollë të dytë Juridikun. E pranova duke e regjistruar në një universitet privat. Pasi mbaroi shkollën më kërkoi që ta regjistroja për magjistraturë dhe ta fitonte konkursin gjë e cila ndodhi, duke e financuar edhe pse jo në një mënyrë të ndershme. Deri para magjistraturës marrëdhëniet tona kanë qenë shumë të mira. Më pas filloi të më thoshte shprehje që nuk i kuptoja. Më mbyllte telefonin, më thoshte si do fëmijët, më thoshte që kaq të urtë jeni si vëllezër të gjithë, ke ndonjë armë të fshehur diku. Një ditë pashë vjehrrën që mblidhte fotot e fëmijëve dhe Fildezit dhe më ka bërë përshtypje. Bënim nga një muaj pushime dhe së bashku me prindërit e saj, që i kisha me vete. U kam paguar qeranë për 15 vite dhe asnjëherë s’jam interesuar sa e ka pasur gruaja ime rrogën. Më 13 shkurt 2015 i kam thënë Fildezes se ku do shkojmë për 14 shkurtin të festojmë. Më tha që do dal me një shoqe se më ka blere një shall,por unë i thashë mos është gjë lesbike shoqja. Më 2 mars 2015 më tha do iki tek babai duke më thënë çfarë do bëjmë se kështu nuk shtyhet. U zgjuan fëmijët dhe unë ika. E mora në telefon dhe i thashë prit të vij. Ajo kishte marrë një person dhe filloi të nxirrte rrobat jashtë duke më thënë se do iki tek babai. Atë ditë më tha 4 shprehje që dy i kuptova dhe dy jo”, ka thënë Fadil Kasemi.
Seanca me dyer të mbyllura
Pas kësaj dëshmie i pandehuri Kasemi, i kërkoi gjykatës që seanca të bëhej me dyer të mbyllura pasi cenohej privatësia e tij, e viktimës dhe e fëmijëve të tij. Kjo kërkesë u pranua nga gjykata duke vijuar marrjen në pyetje të Kasemit pa praninë e medieve. Pas përfundimit të marrjes në pyetje seanca u bë me dyer të hapura. Në seancën e djeshme ishin të pranishme dhe dy eksperte mjeko-ligjore, të cilat do përcaktonin gjendjen psikike të pandehurit. Ata janë shprehur përpara gjykatës se Fadil Kasemi, sipas tyre nuk ka shprehur asnjëherë gjendje psikike të rënduar dhe se nuk vuan nga probleme mendore. Fadil Kasemi akuzohet për tre vepra penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, “Rrëmbim dhe mbajtje peng personi” si dhe “Armëmbajtje pa leje”. Krimi i rëndë ndodhi më 31 gusht 2017, rreth orës 13:50, në rrugën “Xhanfize Keko”, Tiranë, në kohën që 39-vjeçarja Hafizi, doli nga parukeria dhe u fut brenda në automjetin e saj të parkuar aty pranë.
Elvis Myrta