Qeveria “Rama 2” është e vendosur për të mbështetur reformën në drejtësi. Ditën e djeshme Këshilli i Ministrave në drejtimin e kryeministrit Edi Rama zhvilloi mbledhjen e radhës në qytetin e Kukësit, teksa miratoi shtesën me 24 punonjës të rinj për të 3 organet kryesore të procesit të vetingut, me propozim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Kështu, sipas asaj që thuhet në njoftimin e KM, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do të ketë edhe 14 punonjës të ri. Ndërkohë, qeveria ka vendosur emërimin edhe të 6 punonjësve të rinj pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për këtë vit. Ndërsa numri i punonjësve të komisionerëve publikë, për vitin 2018, shtohet me 4 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 30. “Këshilli i Ministrave, me propozim të ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj rishpërndarjen e numrit rezervë të punonjësve të sistemit të Drejtësisë për vitin 2018. Sipas vendimit, rritje kanë pësuar: Numri i punonjësve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për vitin 2018, shtohet me 14 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 64; Numri i punonjësve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, për vitin 2018, shtohet me 6 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 43; Numri i punonjësve të komisionerëve publikë, për vitin 2018, shtohet me 4 punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të punonjësve të këtij institucioni në 30; Numri rezervë i punonjësve të sistemit të drejtësisë, për vitin 2018, reduktohet me 24 punonjës dhe bëhet 206.”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Shtimi i personelit për tre organet e vetingut nga ana e qeverisë, i ka hapur rrugë edhe përshpejtimit të procedurat sa i takon zbulimit të aferave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më konkretisht, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është institucioni kyç, i cili deri më tani falë hetimeve të thelluara ka zbuluar shumë afera për gjyqtarët dhe prokurorët në kuadër të procesit të vetingut, prova këto të cilat kanë rezultuar fatale për njerëzit e drejtësisë, duke ngelur shumë prej tyre.
Home Aktualitet Qeveria shton stafin për komisionet e vetingut, kërkohet të përshpejtohen procedurat për...