Lajm i madh për Naser Alijin, i hap dyert Dinamo e Bukureshtit

0
553

Një nga futbollistët e Kombëtares tonë që erdhi me shumë bujë në ekipin kuqezi, Naser Aliji, në dy vitet e fundit ka pasur një periudhë aspak të mirë të karrierës së tij, duke humbur shumë prej klasit dhe shkëlqimit të mëparshëm. Një sërë ngjarjesh ndikuan negativisht në karrierën e tij, por në këtë gjendje ndikuan jo pak fatkeqësia familjare e tij e muajve të fundit. Sigurisht, Naser Aliji është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë dhe trajneri Kristian Panuçi nuk e ka përjashtuar atë asnjëherë si mundësi, por mungesa e aktivizimit dhe mungesa e një skuadre për të luajtur e kishin lënë atë prapa dhe nuk i jepej mundësia. Por situata e vështirë duket se po kalon, përderisa lojtari ka qenë objekt i shkrimeve në mediat rumune, pasi një emër i madh i futbollit rumun si Dinamo e Bukureshtit ka shfaqur interesim për të. Shumë lojtarë të përfaqësueses kuqezi po kalojnë në këtë moment në kampionatin rumun dhe nuk është rastësi. Ky kampionat, klubet e tij, po bëjnë përpjekje që të rrisin cilësinë dhe atje ka rivalitet, por edhe paguhet mirë. Pra për mbrojtësin e krahut të majtë të përfaqësueses tonë po vijnë ditë të mira dhe së fundmi vjen dhe një lajm i madh që mund të rezultojë me fat për lojtarin. Pra, Naser Aliji ka lënë pas dramën familjare që e detyroi të qëndronte disa muaj larg futbollit dhe sipas të gjitha gjasave, do t’i kthehet shumë shpejt fushave të blerta. Lojtari humbi pak kohë më parë të atin nga një sëmundje e rëndë dhe dëshira për t’i qëndruar pranë atij dhe familjes në ditët e fundit të jetës, bëri që mbrojtësi i majtë të kalonte në plan të dytë karrierën si futbollist. Por kthimi i tij në fushën e lojës nuk do të jetë edhe aq i largët, pasi është mësuar se futbollisti i përfaqësueses shqiptare ka gjetur akordin me një klub të ri. Jo në Zvicër, siç mendohej, por në Rumani, ku e pret krahëhapur skuadra e Dinamos së Bukureshtit. Klubi ku u bë një legjendë Sulejman Demollari, kërkon përforcime për t’u larguar nga zona e ftohtë e renditjes e për t’u kthyer përsëri pretendent për majat e klasifikimit të kampionatit, të cilin gjatë historisë së vet e ka fituar 18 herë. Nga Rumania bëjnë të ditur se Alijin e ka bindur trajneri Mirçea Redniç, i cili ka insistuar për të afruar mbrojtësin e majtë të përfaqësueses, i cili pritet të zyrtarizojë firmën në ditët e ardhshme. Kontrata pritet të zgjatë fillimisht deri në fundin e këtij sezoni me të drejtë rinovimi për një tjetër edicion. Kombëtarja dhe shansi i rilindur Naser Aliji u ftua në përfaqësuese fillimisht nga trajneri Xhani de Biazi, i cili e pikasi atë nga Kaizerslauterni në Bundesligën e dytë gjermane. Atje lojtari kishte peshë dhe luante titullar. Alijii e pranoi me kënaqësi ftesën dhe u afrua në përfaqësuese, por aktivizimi titullar për të dukej i vështirë, sepse në atë pozicion, pra në krahun e majtë të mbrojtjes, në kohën kur Aliji erdhi në përfaqësuese, ishte në kulmin e tij mbrojtësi Ansi Agolli. Gjithsesi, Aliji u angazhua në disa ndeshje dhe bëri performancë të mirë. Ai u vlerësua dhe nga specialistët që besonin se është një pasues i denjë i Agollit. Por nuk ndodhi kështu, karriera mori përposhtë një vit më parë dhe për këtë periudhë ai ka luajtur me pikatore në skuadrat ku u bë pjesë. Si përfundim humbi shkëlqimi i dikurshëm dhe nuk u ftua më as në Kombëtare. Por fakti që Dinamo e Bukureshtit dëshiron ta bëjë atë pjesë të skuadrës së vet është domethënës për lojtarin, i cili mund të gjejë një mundësi të shpalosë vlerat e tij në kampionatin rumun. Mbetet të shihet nëse kjo ofertë do të konkretizohet me arritjen e firmës në kontratë, por kjo mundësi është e mirë për lojtarin dhe ai duhet ta vlerësojë pozitivisht atë. Nëse ai arrin një marrëveshje me Dinamon e Bukureshtit dhe nis të luajë në kampionatin rumun, atëherë me siguri që do të marrë ftesë edhe nga Kombëtarja kuqezi./Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here