CIA zbardh fjalimin e Hasan Dostit: Enver Hoxha tentoi të bashkonte Shqipërinë me Jugosllavinë, pas refuzimit të Titos ktheu sytë nga Moska

0
566

Amerikanët kanë zbardhur një fjalim të dhënë nga Hasan Dosti, një emër i njohur sa i takon shqiptarëve në diasporë që luftuan kundër regjimit komunist. Ai u largu në SHBA pas luftës dhe mbajti postin e Komitetit për Shqipërinë e Lirë dhe drejtoi Partinë Agrare, i cili bashkëpunoi me CIA për të goditur regjimin e Enver Hoxhës. CIA ka deklasifikuar një fjalim të tijin, ku sulmon regjimin komunist.

Raport i Partisë Agrare Shqiptare

Kryetari Hasan Dosti

Është një privilegj i madh për mua të flas sot këtu në Uashington, kryeqyteti i botës dhe djepi i civilizimit i lirive dhe demokracisë, në takimin e Bashkimit Ndërkombëtar Agrar ku përfaqësohen elementë të fortë të demokracisë ndërkombëtare, në të gjitha format dhe shprehjet. Unë flas për llogari të Partisë Agrare të një vendi të vogël, të Shqipërisë së pafat. Ligjet e natyrës bëjnë që pozita gjeografike e këtyre vendeve të vogla të luajë rol të madh në politikën ndërkombëtare. Grekët për shembull ishin një popull i vogël, por kultura e tyre u përhap gjerësisht, edhe sot roli i tyre në Ballkan dhe në Mesdhe është parësor. Grupet etnike të sllovenëve e kroatëve ishin shumë të vegjël, por përpjekja e tyre ka qenë e madhe kundër stabilimentit gjermanik në Adriatik dhe në Mesdhe. Shqipëria është një nga vendet më të vogla të Evropës, por pozita e saj gjeografike është shumë e rëndësishme nga pikëpamja strategjike dhe detare. Po aq të rëndësishme janë dhe burimet e saj minerale si nafta, bakri, kromi dhe bitumi. Populli shqiptar është i aftë dhe punëtor. Ata janë shquar për mbijetesën e tyre fshatare në lugina dhe male, dhe veçanërisht për shpirtin e tyre luftëtar. Rusia sovjetike i ka marrë në konsideratë të gjitha këto, i ka studiuar ato dhe tani po i shfrytëzon metodologjikisht. Shqipëria është një vend me strukturë fshatare shoqërore dhe ekonomike. Njerëzit e saj janë të lidhur ngushtë me idetë e familjes, tokës dhe lirive kombëtare e individuale. Ideologjitë komuniste dhe socialiste kanë qenë dhe janë të huaja për ta. Por dhuna është dhunë, dhe kur ushtrohet sistematikisht detyrimisht do të prodhojë efektet e saj. Qëllimi im nuk është të jap historinë e formimit dhe organizimit të Partisë Komuniste Shqiptare, por do kufizohem vetëm në disa fjalë.

Roli i Moskës

Deri tani Moska nuk ka lejuar që të ekzistojë një parti e vërtetë komuniste shqiptare. Ajo e ka quajtur atë Partia e Punës dhe nuk është e përfaqësuar në Komintern. Ky është një mister i Kremlinit! Komunizmi në Shqipëri është një produkt i importuar nga jashtë dhe i frymëzuar nga politikat ndërkombëtare. Bolshevizmi gjithmonë ka punuar me takt dhe sistematikë. Ai ka tentuar të shfrytëzojë kushtet e brendshme të vendeve dhe situatat politike të grupeve etnike, të krijuara nga traktatet e nënshkruara pas dy Luftërave të Ballkanit në 1912 dhe 1913 si dhe pas Luftës së I Botërore. Moska ia ka besuar këtë mision për shfrytëzimin e pakënaqësive të minoriteteve etniken Evropën qendrore e Lindore, zyrës në Vjenë të Internacionales së Tretë, e cila fshehtësisht punon për përhapjen e bolshevizmit. Ajo deklaron publikisht se ka si qëllim triumfin e parimit të kombësive dhe vetëvendosjes, siç është deklaruar prej themelimit të saj me dekretin e 8 nëntorit 1917. Drejtuesit e zyrës së Vjenës të Internacionales së Tretë kanë shkuar edhe më tej me manovrat e tyre. Ata kanë reklamuar iluzionin e krijimit të të ashtuquajturës Federata Ballkanike, sipas tyre me dëshirën e vetë popujve të lirë. Për disa kohë ata publikuan në Vjenë një revistë të quajtur “Konfederata e Ballkanit”, ku shumë individë në emigracion shkruanin nga vende të ndryshme dhe në gjuhë të ndryshme të Ballkanit. Prandaj infiltrimi i ideve të majta në Shqipëri i nis nga Vjena ku gjendeshin intelektualët në ekzil. Ky aktivitet nuk nisi për përhapjen e komunizmit por për krijimin e kushteve të krijimit të Konfederatës Ballkanike.

Spastrimet

Një tjetër fakt për t’u përmendur është se në Shqipëri nuk ka universitete dhe të rinjtë shqiptarë kryejnë arsimin e lartë në vende të huaja. Studentët e universiteteve të Athinës, Romës e Beogradit për arsye të kuptueshme i kuptojnë më mirë idetë e marksizmit dhe tendencat komuniste, sesa elementët shovinistë të këtyre vendeve. Ai që hodhi themelet e partisë komuniste në Shqipëri ishte Ali Kelmendi, i cili ishte një i ri me origjinë shqiptarë dhe me shtetësi jugosllave, ish-student i universitetit të Beogradit. Nga viti 1929 deri në 1941 lëvizja komuniste shqiptare nuk kishte formë dhe numri i ndjekësve të saj nuk i kalonte njëqind studentë e punëtorë. Partia Komuniste Shqiptare tregoi forcën e saj pas vitit 1941 kur u vu nën disiplinën dhe organizmin e Partisë Komuniste Jugosllave. Dy organizatorët e saj Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç vunë në lëvizje aparatin e saj, por populli e kuptoi që ajo nuk ishte një lëvizje komuniste e mirëfilltë dhe refuzoi ta pranonte. Kështu me taktikat e sofistikuara të Moskës, me anë të zyrës së Vjenës dhe më vonë me ndërhyrjet e partisë së madhe jugosllave, u krijuan kushtet e lëvizjes komuniste shqiptare. U formua republika popullore shqiptare e drejtuar nga Enver Hoxha, e cila u vu nën bindjen e Jugosllavisë. Nga fakte të dala në dritë kohët e fundit, rezulton se dy herë Hoxha propozoi që Shqipëria të bëhej republika e shtatë e Jugosllavisë, me kusht që Beogradi të integronte Shqipërinë e Kosovën dhe të siguronte trajtim të mirë për minoritetet shqiptare në zona të tjera të Jugosllavisë. Marshall Tito, ndoshta në kundërshtim me dëshirat e tij, i penguar dhe nga rrethana të brendshme e të jashtme, nuk e pranoi propozimin e qeverisë shqiptare. Në qershor 1948 gjatë krizës mes Moskës e Beogradit, dhe Shqipëria e Hoxhës u ndje e detyruar të ndahej me Jugosllavinë dhe e vuri veten nën urdhrat e Moskës. Kremlini u bë zot i situatës në Shqipëri dhe me anë të rreth 3000 organizatorëve të tij vendosi regjimin e tij brutal në Shqipëri. Ai shfrytëzon të gjitha burimet ekonomike, veçanërisht minierat dhe naftën, këtë të fundit me anë të linjave të tubacioneve që shtrihen për 90 km nga puset deri te porti i Vlorës.

Akuzat ndaj Hoxhës

Nuk dua të zgjatem në përshkrimin e aparatit administrativ të Shqipërisë së sotme apo në aktivitetet e hapura apo sekrete të sistemit, por në Shqipëri sot nuk ka asnjë qeveri, edhe sikur kukull. Enver Hoxha është ngjitur në pushtet kundër vullnetit të popullit dhe sot mbështetet nga mjetet diplomatike, financiare dhe ushtarake të Kremlinit. Dhe në fakt presidenti i qeverisë është vetë Çuvakin, ministri i plotfuqishëm i Moskës në Tiranë, i cili thuhet se ditët e fundit është shkarkuar për gabimet e tij, për t’u zëvendësuar nga dikush tjetër më energjik. Ndoshta Enver Hoxha dhe klika e tij nuk duan ta shikojnë as sot gjendjen tragjike që Moska ka shkaktuar në Shqipëri. Ndoshta ata duan të shijojnë vetëm autonominë e qeverisë së tyre të rreme. Kjo qeveri nuk shqetësohet për përgjegjësitë morale, politike e aq më pak juridike të popullit. Policia komandohet dhe organizohet nga specialistët e Moskës dhe funksionon sipas metodave të vjetra të policisë staliniste Cheka. Me aktivitetin e saj të gjerë janë mbushur burgjet, kampet e përqendrimit dhe rrjedhimisht dhe varrezat. Te këto të fundit janë varrosur ata që tentuan provën e martirizimit, nga plumbi i pushkatimit, apo nga litari në oborrin e burgjeve, nga vendimet e dhëna prej gjykatave me stil “sovietesh” në fshatra, ose me ata që vdiqën në kampet mizore të përqendrimit nga torturat, uria dhe kushtet brutale. Kohët e fundit regjimi i kuq ka gjetur një mënyrë të re gjenocidi që po aplikon gjerësisht, zhvendosjen e brendshme me dhunë, siç është largimi nga shtëpitë e paraardhësve të popullatës së veriut, ku rezistenca ndaj regjimit është më e theksuar. Ata merren me forcë nga trojet e tyre të lashta për t’u vendosur në kasolle kashte dhe kampe përqendrimi në Myzeqe. Pasojat e kësaj praktike janë vdekja e shumicës së të zhvendosurve nga klima e veriut, nga sëmundje si malaria, dhe nga infeksione të tjera prej kushteve të rënda dhe mungesës së kujdesit shëndetësor. Sa i përket ekonomisë dhe industrisë, minierat po shfrytëzohen nga teknikët e Moskës, të cilët kujdesen për depozitat dhe vendet e përcaktuara për nevojat e tyre të ardhshme, ndërsa shqiptarët punojnë vetëm si punëtorë krahu.

Reforma agrare

Me qëllim që të fitojë simpatinë e fshatarëve, në vitin 1945 qeveria bëri reformën agrare duke u dhënë atyre tokë, por pas një farë kohë, tokat më pjellore u vendosën nën regjimin e kolkozeve ose siç i quajnë komunistet, kooperativa. Në disa zona malore, sa për sy e faqe qeveria u la tokën fshatarëve. Por edhe në zonat malore fshatarët ishin të detyruar të jepnin një pjesë të madhe të prodhimit të tyre te kooperativat që organizohen nga shteti, ndërsa kolektivizimi i bujqësisë qe vendosur në të gjithë vendin. Është e ditur se Karl Marks ka thënë se feja është opiumi i popullit, ndërsa bolshevizmi e ka kthyer këtë në një doktrinë, duke e praktikuar gjerësisht dhe në forma të ndryshme. Duke përdorur këto metoda dhe në Shqipëri, agjentët e Moskës kanë ruajtur një fasadë lirie fetare por në fakt ata e luftojnë ashpërsisht. Persekutimet ndaj klerit mysliman dhe ortodoks janë të papërshkrueshme, por komunizmi ka shfaqur fuqinë e tij më të madhe ndaj kishës katolike shqiptare. Kohët e fundit ata kanë arritur deri aty sa kërkojnë anulimin e vetë dogmave të kishës katolike. Sipas vendimeve të dhëna nga një Sinodë e rreme e krijuar nga komunistët me priftërinj të ulët e servilë, është shpallur ndarja e Kishës Katolike Shqiptare nga Selia e Shenjtë. Kjo do të thotë krijimin e kishës autoqefale katolike të Shqipërisë, që është diçka e paprecedentë në historinë e kristianizmit. Sigurisht që ky akt është urdhëruar nga Moska, por ne duhet të zbulojmë qëllimet e saj finale. Selia e Shenjtë në Vatikan nuk ka ruajtur lidhjet e saj me besimtarët dhe kishën shqiptare që prej vitit 1945. Kjo mund të jetë një strategji i Kremlinit, që është armiku kryesor i Vatikanit. Gjendja aktuale në Shqipëri kërkon më shumë vëmendje për çështjet ushtarake. Strategët e Kremlinit në Shqipëri kanë ndërtuar një sistem fortifikimesh detare dhe ajrore kryesisht në vijën bregdetare dhe veçanërisht në Vlorë. Historia e di se që prej kohës së carëve Rusia ka pasur objektiv hyrjen e ujërat e Mesdheut, dhe ky objektiv po realizohet sot prej ngjarjeve të brendshme e të jashtme në Shqipëri. Shqipëria është kyçe për zonën e Adriatikut, pasi vendoset pranë pikës së ngushtë të kanalit të Otrantos, ku brigjet e Italisë mund të shihen me sy të lirë. Padyshim që ekspertët sovjetikë me mjetet e tyre moderne optike shikojnë nga malet e Vlorës gadishullin italian pra Perëndimin. Shqipëria është pjesë e civilizimit të Mesdheut dhe pjesë e përpjekjes së popujve për liri. Ne jemi mbledhur këtu me partitë agrare në ekzil të 11 vendeve prapa Perdes së Hekurt, jemi mbledhur këtu në vendin e Xhorxh Uashington dhe në vendin e demokracisë. Puna e partive agrare nuk është e kufizuar brenda kuadrit të vendeve të tyre, por shtrihet më gjerë. Megjithëse ideja e një konfederate mes popujve të Evropës qendrore dhe të Danubit është e lashtë, ajo nuk i përshtatet realitetit të sotëm pasi ideatorët e saj i trembeshin kërcënimit otoman. Në të ardhmen popujt e Ballkanit dhe të Evropës qendrore do të jetë zot të fatit të tyre kur të jenë çliruar, dhe do të mund të zbatojnë parimet e vetëvendosjes si në sferën kombëtare dhe në atë ndërkombëtare. Sot zemërimi i atyre që jetojnë në botën e re na lejon të veprojmë si përfaqësues të idealeve të njerëzve tanë që jetojnë në kampe përqendrimi. Ne duhet të bashkëpunojmë me të gjithë elementët e demokracisë për t’i bërë ato vende të lira. Historia ka regjistruar në analet e saj Internacionalen e Parë të mbajtur në Londër me moton “Proletarë të gjitha vendeve bashkohuni” e cila i dha shkas antagonizmit luftërave dhe katastrofave. Ndërsa motoja jonë këtu sot është “Popujt e Evropës qendrore dhe lindore bashkëpunoni dhe vllazërohuni në paqe dhe demokraci”. Marshi i internacionales tonë të botës së lirë do të jetë kënga e dashurisë dhe paqes.

15 maj 1953

Memorandum për zëvendës drejtorin

Nga kreu i Luftës politike e psikologjike

Objekti: Mundësia e një apeli ndaj senatorit Mçarthy për hetime ndaj NCFA.

Prej dy vitesh dega jonë SE ka bërë përpjekje për zgjerimin e Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë me përfaqësimin e dy grupimeve që aktualisht nuk përfaqësohen. Një prej këtyre grupeve, Balli Kombëtar i drejtuar nga Ali Këlcyra, është ndarë nga Balli Kombëtar Agrar në vitin 1950 dhe ja kërkuar të pranohet në komitet si parti më vete. Por gjatë negociatave të zgjatura me NCFA u bë e kuptueshme se tentativat e mëtejshme për zgjerimin e tij kundër vullnetit të lidershipit, do të sillnin trazira në vetë NCFA. Prandaj divizioni ka marrë informata se përfaqësues të Ballit mund të apelojnë te senatori Mc Carthi për një hetim nga komisioni i tij.

Treguesit se grupi i Ali Këlcyrës mund të bëjë një veprim të tillë janë si më poshtë:

a) Një letër me datë 14 mars 1953 nga Halim Begeja, sekretar i përgjithshëm i Ballit dhe përfaqësues i tij në Nju Jork, për Ali Këlcyrën gjatë udhëtimit të këtij të fundit në Greqi, që u interceptua nga shërbimet greke dhe iu kalua CIA nga ndërlidhjet tona. Letra siguronte Këlcyrën se mes të tjerave, asgjë nuk do të bëhej për krijimin e një komiteti të vërtetë nacionalist me anëtarë anti-Prizren (të mbështetur nga Jugosllavia), deri sa çështja të sillej përpara senatorit McCarthy dhe nënkomitetit të tij të senatit.

b) Në një raport të marsit 1053 Halim Begeja raportohet të ketë shprehur padurimin e tij te NCFA mbi mospërfshirjen e vazhdueshme të Ballit Kombëtar në Komitet, duke thënë se nëse partia e tij nuk përfshihej, ai do të kërkonte rrugë të tjera për të luftuar komunizmin.

Megjithëse kërcënimi i mësipërm është vetëm një shantazh i vogël i Ballit një hetim i tillë mund të jetë me interes për elementet disidente të emigracionit shqiptar, aq sa për të kërkuar dëgjesën dramatike me senatorin MecKarthy. Kërcënime të ngjashme për kërkesën e ndihmës nga liderë të kongresit janë bërë edhe më parë ndaj NCFA, por ato nuk janë ndjekur më tej. Divizioni ynë po përfiton nga kjo mundësi për të sjellë në vëmendjen e autoriteteve një sikletosje të mundshme, pas pasojave serioze të hetimeve të komitetit të Senatit mbi operacionet e drejtuara nga CIA për grupet e disidentëve në emigracion. Kjo ka të bëjë jo vetëm me rastin e shqiptarëve por edhe me grupime të tjera të Evropës Lindore që mund të jenë të pakënaqur me trajtimet e tyre apo me pozita të ngjashme me atë të NCFA. Në lidhje me rastin në fjalë, një hetim shumë i publikuar mbi përbërjen dhe aktivitetet e NCFA në Romë, do të zbulonte përfshirjen dhe mbështetjen tonë ndaj Komitetit, dhe rrjedhimisht do të dëmtonte kontrollin tonë mbi të. Gjithashtu publiciteti negativ që do të sillte një hetim i mundshëm i kësaj natyre, si mbi individët ashtu dhe kolektivisht, do ta bënte atë thuajse infektiv si një front politik. Me sa u tha më sipër, divizioni ynë kërkon që Këshilli Legjislativ të vihet në dijeni të situatës siç qëndron tani. Mund të jetë e mundur, me anë të kontakteve të autorizuar, të sigurohemi nëse është bërë një kontakt i tillë apo jo me Senatorin McKarthy, nga grupi shqiptar, apo të na njoftojë nëse një lëvizje e tillë ndodh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here