Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e djeshme masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 45-ditor për Geldo Hotin, personin e arrestuar në Kakavijë si pjesë e sherrit me armë që ndodhi në zonën e ish-Bllokut, ku u vra Fabian Gaxha dhe u plagos Ervis Martinaj së bashku me Eljon Haton.
“Kam dëgjuar krisma dhe menjëherë jam futur poshtë tavolinës i tronditur. Nuk kam qëlluar, kam qenë pa armë. Më pas jam larguar për në Greqi sepse do të merrja një pajisje”, mësohet të ketë thënë Hoti në seancë.
Gjyqtari Artan Gjermeni i dha 45 ditë kohë Prokurorisë që të sjellë prova më të forta për Hotin dhe rolin e tij në përplasjen me armë. Kujtojmë se përplasja ndodhi ditën e enjte te lokali “Monopol” në ish-Bllok.
Mësohet se Hoti, Ervin Mata dhe Meviol Bilo po rrinin në një tavolinë, ndërkohë që kanë ardhur Fabian Gaxha, Eljon Hato dhe Ervis Martinaj. Sipas dëshmive, Martinaj dhe Mata janë takuar normalisht, por sherri ka nisur mes Fabian Gaxhës dhe Meviol Bilos. Pas të shtënave, Gaxha ka mbetur i vdekur në vend, me një plumb në kokë dhe gjoks.
Geldo Hoti mësohet se ka qëlluar me armë gjithashtu, në momentin që dy grupet janë takuar për të sqaruar një mosmarrëveshje. Hoti, sipas burimeve, është mik me komandon Meviol Bilo dhe ka qëlluar me armë, duke i ardhur në ndihmë këtij të fundit gjatë konfliktit me Fabian Gaxhën.