Paaftësia dhe korrupsioni, në komedinë “E mbesa e krahinarit”

0
546

“E mbesa e krahinarit” vepër e autorit Kristo Floqi, e shkruar rreth viteve ’30 do të jetë premierë në skenën e teatrit Metropol. Kjo komedi vjen në skenë edhe si pjesë e festivalit “Metrofest” në edicionin e dytë me regjisor Aldi Hysotoçin. Është një komedi ku Kristo Floqi, doket dhe zakonet, ligjet dhe rregullat, njerëzillëkun dhe burrërinë, e përshkruan shumë bukur, duke na sjell në pah jo vetëm realitetin e 1930, i cili përkon edhe me ditët e sotme. Sipas teatrit Metropol, komedia shqiptare “E mbesa e krahinarit” trajton problemin e abuzimit me postin zyrtar, paaftësisë dhe korrupsionit, gërshetuar me skena të këndshme humori. Në qendër të saj është vendosur krahinari i një fshati të largët, të cilin e ka zënë paniku nga vizita e inspektorit që do të nxjerrë në shesh gjithë abuzimet e tij. Në këtë komedi shqiptare vepër e arkivit, interpretojnë aktorët Xhino Musollari, Donald Shehu, Alba Shtëmbarin, me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit Luftar Paja. Skenografia në vepër përgatitur nga Klaid Ymeri dhe kostumet nga Suzana Bodinaku. Krahinari (Luftar Paja) akuzohet se ka përvetësuar paratë, që janë dhënë për rregullimin e rrugëve, ka lejuar kontrabandën, nuk ka dënuar njerëzit që kanë shkelur ligjin, nuk ka mbajtur qëndrim të paanshëm në zgjedhjet e bashkisë, siç e kërkonte pozicioni i tij, e kështu me rradhë. Krahinari është një njeri i mirë, përgjithësisht merret me martesat në fshat dhe me punë të rëndomta institucionale. Është natyrë babaxhane ndaj për këtë arsye, shumë detyra të tij të ngelen pa bërë. Por përgjegjshmëria e këtij individi si njeri bën që në fund çdo gjë të shkojë në më të mirën e mundshme. Komedia në skenën e teatrit  do të shfaqet mbrëmjet e datave 6 dhe 10 tetor.

Komedia në skenë

Në një fshat të Myzeqesë vjen për inspektim nga shteti Inspektori i lartë Myfetish Beu, një nga inspektorët më të rreptë të asaj kohe. Kjo vizitë nuk është e rastësishme, pasi kanë ardhur shumë ankesa për krahinarin e krahinës, i cili nuk merret me asnjë detyrë të tijën. Ndërkohë që krahinari pret inspektorin, një kaçak mali i lë në shtëpi të dashurën e tij të rrëmbyer. Krahinari e di fare mirë se, përveç dasmave, asgjë tjetër nuk ka bërë në krahinë, por, në shpëtoftë këtë herë pa u lagur, doemos do vërë rregull dhe disiplinë. A do ta zbulojë inspektori vajzën e rrëmbyer në shtëpi të krahinarit? Krahinari do t’i qëndrojë besnik mikut të tij e do ta fshehë vajzën? A do të dënohet krahinari për zullumet që ka bërë gjatë kohës në detyrë? Po kaçaku i maleve a do të përplaset me inspektorin? Të gjitha këto do të zbulohen në komedinë “E mbesa e krahinarit” me pjesëmarrjen e veçantë të Luftar Pajës, si dhe në rolet e tjera aktorët Xhino Musollari, Donald Shehu e Alba Shtëmbari. Komedia  “E mbesa e krahinarit” është vënë në skenë më 1934 nga shoqëria “Puna” në Korçë, më 1939 nga shoqëria “Dragoi” në Pogradec, më 1937 nga grupi teatror i Lushnjës, dhe më 1938 nga grupi teatror “Rinia korçare”.  Kristo Floqi i lindur 1872. Njihet si avokat, gjykatës, nëpunës, ministër, botues dhe dramaturg. Veprimtaria e tij artistik është e njohur me vepra “Zi e më zi” apo edhe vepra të tjera të tij. Është autor i “Himn mbi flamur” me muzikë të Thoma Nasit u luajt kur më 1928 u shpall mbretëria dhe u quajt “Marshi i Zogut”. Aldi Hysotoçi, angazhimin e tij në shfaqje teatri e fillon si as. regjisor i shfaqjes “Riverside Drive”, me pas në opera me shfaqjet “Opera për tre grosh” dhe “Berberi i Seviljes” duke kaluar pastaj si regjisor i “Bota e hënës”, “Makbeth” (fragment i trajtuar si teatër alternativ), “Udha e gjatë e kthimit”, “Më e vërtet se e vërteta” apo “Jashtë bie borë”.

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here