“Takimet Muzikore të Dy Botëve”, nata e tretë në Vlorë

0
579

Pas suksesit në Gjirokastër dhe Shkodër, vijon me natën e tretë në Vlorë festivali ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve”. Edicioni i këtij viti çeli siparin e aktiviteteve në kalanë e Gjirokastrës, në koncertin e parë, më datë 21 shtator ku në sallën e mbushur plot interpretuan grupi i njohur polifonik “Ergjeria” dhe fizarmonisti slloven Marko Hatlak.

Koncerti i dytë i festivalit u mbajt në Qendrën Rinore “Arka” në Shkodër, më datë 29 shtator ku performuan rapsodja e njohur Lumturije Nonaj dhe duoja e famshme malazeze “Vox 2 Feel”. Pas Shkodrës, festivali do të udhëtojë drejt Vlorës, ku në datën 5 tetor, në teatrin “Petro Marko” të qytetit bregdetar pritet të interpretojnë dy artiste shumë të njohura greke. Me lajtmotivin “Një shekull me muzikën greke” dyshja e artistëve grekë pritet të krijojnë një atmosferë të ngrohtë muzikore nën tingujt e zërit melodioz të mezzosopranos Elena Marangou dhe pianistes së talentuar Agapi Triantafyllidi. Dyshen greke do të kenë mundësi ta ndjekin edhe artdashësit e kryeqytetit, pasi zbresin në Tiranë më datë 6 tetor në Qendrën Kulturore pranë Kishës Ortodokse.

Koncerti i fundit i këtij festivali risjell në Tiranë sopranon me famë ndërkombëtare Blerta Zhegun dhe do të mbahet në një mbrëmje gala më datë 10 tetor, në Pallatin e Brigadave. Festivali “Takimet Muzikore të Dy Botëve” organizohet nga shoqata “Argjiro”, e cila për 12 vite me radhë ka sjellë artistë nga më të njohurit shqiptarë si Inva Mula, Tedi Papavrami, Mirjam Tola apo dhe artistë të tjerë më famë ndërkombëtare. Drejtuesja e këtij festivalit Ilda Mara thekson se ky festival organizohet këtë vit nën ombrellën e “Vitit Evropian të Trashëgimisë Kulturore” dhe se prej 12 vitesh “Argjiro” vazhdon të promovojë vlerat e trashëgimisë kulturore, duke ndërthurur muzikën klasike dhe atë tradicionale. Një vit më parë edicioni i XI i festivalit ndërkombëtar “Takimet Muzikore të Dy Botëve” e hapi siparin në Dropull me “Ngjyra Muzikore nga Greqia”. Edhe në edicionin e XI, organizata “Argjiro” përmes këtij festivali dhe artistëve të ftuar synonte në ndërthurjen e dy botëve të muzikës klasike me atë tradicionale. Prej vitesh në skenën e këtij festivali kanë spikatur emra artistësh shqiptarë dhe të huaj, duke u mirëpritur nga të pranishmit që i kanë ndjekur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here