Gjykata e Apelit pezullon uljen e tarifave të përmbarimit, arsyetimi: Bien të ardhurat në buxhet dhe falimentojnë përmbaruesit

0
398

Gjykata Administrative e Apelit ka pezulluar zbatimin e aktit normativ të Ministrisë së Financave e Ekonomisë dhe Ministrisë së Drejtësisë, i cili në gusht të këtij viti kishte ulur me 3.5 herë tarifat përmbarimore fikse. Vendimi është marrë në 26 shtator, pas ankesës së Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë. Kjo e fundit kishte paditur Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë dhe Avokaturën e Shtetit lidhur me “Udhëzimin e përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave nr.30, date 30.8.2018 “Për disa ndryshime në udhëzimin e përbashkët nr.385/7, datë 28.6.2017 “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat”.

Ky udhëzim, produkt i veprimtarisë administrative të dy ministrave të Drejtësisë dhe Financave dhe Ekonomisë, në raport me udhëzimin e mëparshëm të para një viti ka ulur mesatarisht gati 3.5 herë vlerën e tarifave fikse. Dhoma e Përmbaruesve ka kërkuar rrëzimin e këtij akti administrativ dhe marrjen e masës së sigurimit të padisë për shkak se e konsideron atë antikushtetues dhe më dëme serioze për ushtrimin e profesionit të përmbaruesit. Dhoma thotë se ulja drastike mesatarisht prej 3.5 herë në raport me udhëzimin e miratuar vetëm 1 vit më parë, nuk shoqërohet dhe nuk përcillet me asnjë analizë financiare. Dhoma pretendon se ka mungesë të arsyeve, të cilat kanë sjellë miratimin e një udhëzimi të ri. Nga ana e saj, Ministria e Financave dhe e Drejtësisë pohojnë se “në optikën e tyre nuk ka një dëm të rëndë dhe evident të ardhur paditësit nga ky akt administrativ, i cili për nga pikëpamja formale por edhe thelbësore është i mbështetur në ligj dhe vjen në interes të publikut”. Ndryshimi i tarifave ligjore, sipas ministrive është variabël i kushteve ekonomike dhe ligjore.

“Pra në këtë këndvështrim, ashtu si me Udhëzimin Nr. 38517 , datë 28-6.2017 u rritën tarifat përmbarimore me përafërsisht 2-2.5 herë ashtu edhe mund të ulen këto tarifa, dhe që të kemi një dëm të rëndë duhet argumentuar se kush është veprimi i paligjshëm që e passjell këtë pasojë, që gjë nuk është e argumentuar nga paditësi”, thuhet në argumentin e Ministrive, duke pohuar se pezullimi i tij do të sillte cenim të interesit publik, pasi “nëse ky udhëzim do to pezullohej atëhere publiku do të vazhdonte të paguante tarifa të larta përmbarimore duke sjellë kështu një dëmtim të qytetarëve dhe ekonomisë së tyre, vështirësi të mëdha ekonomike. Një argument tjetër që vlen të përmendet është se pezullimi i këtij udhëzimi do të sillte diferencë të konsiderueshme ndërmjet tarifave të aplikuara nga shërbimi përmbarimor shtetëror dhe tarifave të aplikuara nga shërbimi përmbarimor privat, duke sjellë në këtë mënyrë deformim të tregut, ndërkohë që kuadri ligjor dhe procedurial i veprimeve përmbarimore është i njëjtë dhe kjo në vetvete sjell cenim të interesit publik”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here