Paketa fiskale 2019, zbardhen të gjitha taksat që pritet të ndryshojnë, në diskutim dhe rishikimi i kufijve të pagës

0
513

Ministria e Financave do të nisë konsultimet me biznesin lidhur me paketën fiskale të vitit 2019. Bizneseve u janë dërguar pikat kryesore të drafteve që pritet të rishikohen. Ndër ndryshimet më të rëndësishme janë ulja e dividendit (aktualisht është 15%), dhe rishikimi i kufijve të pagës. Pagat mbi 130 mijë lekë sot tatohen mbi 23%, shifër kjo më e larta në rajon, e cila ka krijuar skema shmangieje për ata që kanë pagat e larta. Ndryshime të tjera janë norma e reduktuar TVSH 10 % për importin e autobusëve elektrikë të transportit publik, rregullimi i taksimit për personat fizikë tregtar; përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason etj.

Taksat

Në draftin e dërguara bizneseve për diskutim, mësohet se një ndër pikat e diskutimit do të jetë Ligji “Për Procedurat Tatimore”. Këtu synohet një dispozitë antishmangie e përgjithshme, me qëllim mos-keqpërdorimin e ligjit për përfitime të pandershme fiskale. Qeveria kërkon reduktimin e mundësive për planifikim tatimor agresiv. Ndërkohë, parashikohen dispozita shtesë në legjislacion për taksimin e fitimeve kapitale në lidhje me aktive dhe të drejta që ndodhen në Shqipëri dhe që zotërohen nga jorezidentë shqiptarë, në lidhje me shitjet e kuotave të kompanive, aktiveve apo të drejtave që ndodhen në Shqipëri. Një tjetër pikë diskutimi këtu është rregullimi i taksimit për personat fizikë tregtarë. “Dizenjimi i një skeme që takson të ardhurat pas tatimit (0 % për 5 milionë, 5 % për 5-14 milionë dhe 15 % për mbi 14 milionë). Kjo pasi barra fiskale e një personi fizik është minimalisht 13 % më e ulët se e një investitori në kapital, 6-7 % më e ulët se e një të punësuari dhe maksimalisht pa taksë”, thuhet në draft.

Ligji i TVSH

Në ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, parashikohet përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik; përjashtimi nga TVSH i furnizimit me shërbim nga nënkontraktorët për kontraktorët në industrinë fason; përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqësore sipas listës së miratuar me VKM, nga çdo importues; si dhe normë e reduktuar TVSH 10 % për importin e autobusëve elektrike të transportit publik.

Ligji për akcizat

Në paketën fiskale 2019, qeveria po planifikon dhe rishikim të akcizës për rërat dhe zhavorret bituminoze, duke taksuar atë lloj lënde të parë që zëvendëson nënproduktet e naftës dhe ndikon në ambient. Po ashtu, parashikohet heqja e akcizës për fishekzjarret, llambat, pilat/bateritë, si dhe rishikimi i nivelit të akcizës për duhanin e përpunuar dhe zëvendësuesit e tij, duhanet me ngrohje, purot.

Tatimi mbi të ardhurat

Në ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, është planifikuar të rishikohet norma e tatimit mbi dividentin. Po ashtu, një tjetër rishikim do ketë dhe për kufijtë e pagës që tatohen me norma të ndryshme tatimore. Shqipëria mban rekord në rajon për taksimin e Individëve me paga të larta. Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.

Ligji “Për taksat Nacionale”

Në ligjin përtaksat nacionale parashikohet të ndërhyhet në ndryshimin e skemës së taksimit të ambalazheve plastike, ku synohet kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike, tek taksimi i materialeve plastike, duke e ulur me 2/3 normën ekzistuese. Po ashtu, axhustime parashikohen dhe në skemën e rentës minerare për industrinë e kromit, me qëllim nxitjen e përpunimit brenda vendit të mineraleve duke shtuar vlerën e tij për eksport.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here