Rozi Kostani sjell në teatër Ernest Koliqin me dramën “Rrajtë që lëvizin”

0
600

Drama “Rrajtë që lëvizin” shkruar nga Ernest Koliqi pritet të jetë një nga premierat teatrore në sezonin artistik të Teatrit të Metropolit. Vepra vjen në skenë me regji nga Rozi Kostani, që bashkë me aktorët prej disa ditësh ka nisur punën për të sjellë premierën në skenën e teatrit të Metropolit. Në role janë aktorë të njohur, por dhe emra të rinj që do të jetësojnë në skenë personazhet e dramës shqiptare shkruar nga Ernest Koliqi. Këtë herë në skenë nuk mungon dhe aktori i njohur Bruno Shllaku, si një nga emrat aktiv në skenën e teatrit këtë sezon artistik ai do të jetë në Teatrin e Metropolit, por me një premierë të dramaturgjisë shqiptare. Edhe pse nuk zbulohen shumë detaje, pasi priten për tu prezantuar në skenë me premierën, që pritet në muajin tetor, aktori Bruno Shllaku e cilëson si një nga veprat që përcjell jo pak mesazhe për publikun. “Është vepër e bukur, një parashikim i mrekullueshëm i autorit për çfarë pritet të ndodhë në Shqipëri. Vepra i zhvillon ngjarjet në kohën e diktaturës, diku te vitet ‘70”, pohon aktori Bruno Shllaku, që do të jetë në skenë me një nga personazhet e veprës. Drama premierë që mendohet të jetë në skenë në muajin tetor vjen si një nga produksionet ekskluzive të Metropolit. “Duke afruar profesionistë të teatrit nga të gjitha brezat për të hulumtuar dhe për t’i dhënë frymë dramës shqipe në skenë, afër publikut”, shpjegon institucioni për këtë shfaqje që i takon dramës shqipe, por dhe të tjera që do të jenë më pas pjesë e sezonit artistik. Regjisorja Rozi Kostani me këtë dramë në skenën e Metropolit duket se këtë herë ka vëmendjen tek zhvillimi i veprave shqiptare. E angazhuar me vepra të ndryshme në skena të teatrit, ky sezon artistik për regjisoren e njohur Rozi Kostani nis në Metropol me një premierë të dramaturgjisë shqipe, ku më herët janë zhvilluar dhe audicione për aktorët.

Drama dhe krijimtaria

Në vepër janë gjashtë personazhe, dhe i vendos ngjarjet në diktaturë. Drama “Rrajtë që lëvizin” është botuar në Romë më 1967, veprimi i së cilës ndodhet në të ardhmen diku në vitet ‘70. Me veprën “Rrajtë që lëvizin”, autori parashikonte rënien e regjimit komunist në një kohë kur ky fakt nuk artikulohej ende në asnjë vend të Lindjes ato vite. Autori Ernest Koliqi në dramën e tij parashikonte përmbysjen e rendit komunist në Shqipëri, rihapjen e kishave dhe udhëtimin atje, të vajzës së tij si turiste, fill mbas vdekjes së të atit dhe pikërisht ditën kur këmbanat e kishave, pas një heshtjeje tepër të gjatë po gjëmonin përsëri në Shkodër. Nga të dy parashikimet u krye vetëm njëri: vdekja e tij, që ndodhi vërtet në vitet shtatëdhjetë. Ernest Koliqi (Shkodër, 20 maj 1903 – Romë, 15 janar 1975) ishte mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, botues dhe pedagog. Cilësohet bashkë me Mitrush Kutelin, si bashkëthemelues i tregimit modern shqiptar sa i përket krijimtarisë. Bashkëpunoi me revistat “Hylli i Dritës” e françeskanëve, “Leka” e jezuitëve, “Përpjekja shqiptare” e Branko Merxhanit , “Minerva”, “Besa” etj. Më 1972 botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firence. Një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. Në 1973 vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga “Lahuta e Malcis”, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV).  Pasardhës të Koliqit, sidomos në këmbënguljen e gjetjes së veçantive vendore në gjuhë e në jetë, në letërsinë shqipe bashkëkohore para së gjithash konsiderohet Anton Pashku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here