Si u pasqyrua në mediat botërore vizita e Vuçiçit?

0
697
Agjencitë botërore dhe ato rajonale i kushtuan vëmendje të madhe tentimit të pasuksesshëm të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për ta vizituar fshatin Banje, të banuar me serbë, në Drenicë.
Agjencia e lajmeve AP njofton se shqiptarët i bllokuan rrugët me drurë dhe makineri të rëndë dhe ndezën goma në rutën e planifikuar të Vuçiçit.
Kjo agjenci thekson se nuk janë konfirmuar informatat e publikuara nga mediat serbe se janë dëgjuar breshëri nga armët automatike dhe se “Vuçiçi nuk u sulmua”.
Rojters publikoi se rreth 200 veteranë të UÇK-së e bllokuan me kamionë dhe makina rrugën drejt fshatit Banje dhe se në rrugë janë parë transparente “Vuçiqi të kërkojë falje për krimet dhe masakrat në mbarë Kosovën” dhe “Vuçiqi nuk kalon”.
Sipas agjencisë britanike, normalizimi i lidhjeve bilaterale paraqet kusht kyç për përparimin e Serbisë dhe Kosovës drejt BE-së, si dhe se janë venitur pritjet se do të mund të arrihej marrëveshje që do të përfshinte këmbim të territoreve pas anulimit të befasishëm të takimit të Vuçiqit me presidentin e Kosovës Hashim Thaçin të premten.
Të gjitha mediumet elektronike të rajonit gjithashtu e publikuan lajmin për tentimin e Vuçiqit për të shkaur në fshatin Banje, përkundër bllokadave dhe protestave të shqiptarëve, pjesëtarë të ish-UÇK-së.
“Jutarnji list” shkruan se situata në Kosovë është e tensionuar pasi që janë vendosur bllokada në Skenderaj për ta penguar Vuçiqin ta vizitojë fshatin Banje, ku, përndryshe, jetojnë rreth 300 serbë.
Servisi publik kroat HTV për vizitën e presidentit serb raportonte në kuadër të rubrikës “Tema e ditës”.
Të gjitha mediat publikuan lajmin se Vuçiqit fillimisht iu ndalua vizita në një pjesë të Kosovës, porse Qeveria në Prishtinë më pas e ka ndryshuar vendimin nën presion të SHBA-ve.
Edhe mediumet në Bosnjë e Hercegovinë njoftuan për tentimin e pasuksesshëm të Vuçiqit që ta vizitojë, rrugëve anësore, fshatin Banje, përkundër bllokadave nga shqiptarët e Drenicës.
Portali Avaz ka transmetuar porosinë e Vuçiqit drejtuar shqiptarëve se “gabohen keq nëse mendojnë se do ta frikësojnë”.
Portali Buka lajmin për bllokadat në Kosovë e publikoi me titull: Dramë në Kosovë – veteranët e UÇK-së bllokuan rrugën, Vuçiqi përkundër ndalesës u nis drejt jugut, KFOR-i nuk mund të garantojë…
Portali tjetër, Klix, lajmëroi se policia e ka ndaluar dhe e ka kthyer prapa kolonën e veturave në të cilën gjendej Vuçiqi.
Me tone të njëjta raportuan edhe mediat në Mal të Zi dhe Maqedoni.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here