Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, akuzoi presidentin amerikan Donald Trump se po orkestron një “mbulim” të dokumenteve që lidhen me financierin e dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, duke kërkuar publikimin e plotë të tyre, para dëshmisë së saj në Kongres më vonë këtë muaj.
Në një intervistë për BBC, Clinton i bëri thirrje administratës: “Lëshojini ato dosje. Informacionet po rrjedhin”, ndërsa theksoi se dëshiron që seancat dëgjimore të jenë publike dhe jo me dyer të mbyllura.
Në janar, Departamenti i Drejtësisë i SHBA publikoi mbi tre milionë dokumente, foto dhe video të lidhura me rastin Epstein, i cili vdiq në burg në vitin 2019. Dokumentet përmendin shpesh emrin e ish-presidentit Bill Clinton, por nuk paraqesin prova për përfshirje të paligjshme të tij ose të bashkëshortes së tij.
Familja Clinton pritet të dëshmojë para një komisioni ne kongres, Hillary më 26 shkurt dhe Bill më 27. Ajo deklaroi se ata “nuk kanë asgjë për të fshehur” dhe kanë kërkuar vazhdimisht publikimin e plotë të materialeve. Nga ana tjetër, Departamenti i Drejtësisë ka thënë se nuk ka dokumente të tjera për t’u bërë publike, megjithëse disa ligjvënës pretendojnë se disa memo dhe email-e të brendshme nuk janë zbuluar.
Clinton argumenton se hetimi republikan ndaj saj është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga Trump, emri i të cilit gjithashtu shfaqet në dokumente. Presidenti amerikan ka mohuar çdo përfshirje dhe ka deklaruar se është “shfajësuar plotësisht”.
Vetë përmendja e një emri në dosjet Epstein nuk përbën provë shkeljeje. Dokumentet megjithatë tregojnë lidhje sociale mes financierit dhe disa figurave publike. Bill Clinton ka pranuar se kishte udhëtuar disa herë me avionin privat të Epstein, por ka thënë se nuk kishte folur me të për më shumë se një dekadë dhe se nuk kishte dijeni për krimet e tij.
Hillary Clinton ka deklaruar se nuk ka pasur ndërveprime domethënëse me Epstein dhe se nuk ka udhëtuar kurrë me avionin apo vizituar ishullin e tij. Ajo pranoi vetëm se është takuar “disa herë” me Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtoren e tij të dënuar për trafikim të të miturve.









































