Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme tre të pandehur për korrupsion në zgjedhje në Qarkun Lezhë.
Sipas SPAK, tre shtetasit, Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja, janë marrë të pandehur dhe janë dërguar për gjykim për veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Sipas SPAK, gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë premtuar, ofruar dhe dhënë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në mbështetje të Partisë Socialiste.
Hetimet kanë evidentuar se ata kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit me qëllim ndikimin në vullnetin e tyre të votës.
Njoftimi i SPAK
SPAK dërgon për gjykim tre të pandehur për korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje në Qarkun Lezhë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe më datë 7.11.2025, ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme, procedimin penal nr. 55 të vitit 2025, për korrupsion në zgjedhjet e zhvilluara në Qarkun Lezhë.
Të pandehurit e dërguar për gjykim janë:
Gersi Kaçorri, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 dhe 25 të Kodit Penal;
Besnik Uka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal;
Artur Jahja, i akuzuar për kryerjen e veprës penale, “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328/b dhe 25 të Kodit Penal.
Rrethanat e çështjes
Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e materialit të referuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), në ngarkim të shtetasve të mësipërm, të dyshuar për veprën penale, “Korrupsion aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsion pasiv në zgjedhje”, të kryera në bashkëpunim, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025.
Aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale të hetimit (përgjime të komunikimeve telefonike, vëzhgime dhe veprime të tjera hetimore treguan se të pandehurit; Gersi Kaçorri, Besnik Uka dhe Artur Jahja janë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në Qarkun e Lezhës, gjatë zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fushatës zgjedhore, të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, premtuan, ofruan dhe dhanë shuma monetare zgjedhësve të Bashkisë Kurbin, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik, Partia Socialiste.
Hetimi evidentoi se të pandehurit kanë qenë aktivë në fushatën zgjedhore në mbështetje të këtij subjekti politik, duke ofruar dhe shpërndarë mjete monetare tek zgjedhësit për të ndikuar në mënyrën e votimit të tyre.












































