Nga Julia Vrapi
Baleti “La Sylphide” këtë nëntor do të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Një nga baletet më romantikë të të gjitha kohëve për tre mbrëmje me radhë do të jetë në skenën e TKOB, ndërkohë që trupa jonë e baletit po vijon provat për shfaqjen. Baleti romantik që sjell atmosferën skoceze do të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në datat 3, 4 dhe 5 nëntor. “Baleti “La Sylphide”, me muzikë të Herman Severin Lovenskiold dhe me koreografinë e August Bournonville, ka revolucionuar historinë e baletit. Në skenën e TKOB baleti “La Sylphide” është shfaqur edhe më parë, por vjen sërish këtë nëntor në sezonin e ri artistik që ka nisur. “La Sylphide” është një nga baletet e para romantike. Për herë të parë u performua në Paris, në vitin 1832. Koreografia origjinale u krijuar fillimisht nga Philippe Taglioni, por për publikun është më i njohur varianti koreografik i August Bournonville. Ky variant u shfaq për herë të parë në Kopenhagen në vitin 1836 dhe u bë themeli i baleteve tradicional romantike. “La Sylphuide” është një balet me dy akte. Akti i parë në këtë shfaqje e çon publikun në një shtëpi tipike skoceze, ku pritet të zhvillohet një festë martese dhe në aktin e dytë, në një pyll të mjegulluar ku edhe finalizohet ngjarja. Një zanë e ajrit Silfida magjeps personazhin kryesor në fillim të veprës dhe ai nuk mundet t’i rezistojë tërheqjes, duke braktisur të fejuarën, Effin, në ditën e dasmës. Nga dëshira për ta bërë të tijën zanën e bukur, ai i beson magjistares Magde dhe pranon prej saj shallin magjik që do ktheje Silfidën në një qenie njerëzore. Në materiale rreth veprës thuhet se autori Herman Severin Lovenskiold, muzikën për baletin “La Sylphide” e ka kompozuar në moshën 21 vjeçare dhe pati një sukses të jashtëzakonshëm.
“La Syplphide” në kalendarin artistik
Kalendari artistik i muajit nëntor sjell në skenë shfaqjen e baletit “La Sylphide” me muzikë të Herman Severin Lovenskiold dhe me koreografinë e August Bournonville, e cila më pas do t’ia lërë radhën aktiviteteve të tjera artistike të nëntorit. Por dhe kalendari artistik i tetorit solli në TKOB me shfaqje të ndryshme dhe koncerte. Festivali Ndërkombëtar i Kërcimit me shfaqje si PULS, Notte Morricone, etj, ishin pjesë e aktiviteteve. IDFT prezantoi “Notte Morricone” nga CCN / Aterballetto, me koreografi të Marcos Morau, i cili është edhe fitues i çmimit “Koreografi më i mirë i vitit” në “International Dance Awards 2023”. Por dh recitalet si “From Bach to Blues”, koncerti i pianistes, Frida Bollani, tek premierat absolute me Giuseppe Gibboni dhe Orkestrën Simfonike të TKOBAP-së vijuan këtë tetor. Në vijim ishte “Kohë në pentagram” që erdhi përmes kryeveprave të repertorit botëror, nga Verdi, Puccini e Bizet, deri te Rossini e Mascagni. Një mbrëmje gala, që ngjiti në skenë artistët e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të sjellë për publikun arie apo skena operash që janë vënë më parë.