Gazetari investigativ amerikan Daniel Friedman, i njohur për zbardhjen e aferës së lobimit rus të Partisë Demokratike në vitin 2018, ka reaguar për kontratën e re lobuese prej 6 milionë dollarësh të firmosur nga PD me kompaninë amerikane Continental Strategy LLC. Në një postim në rrjetin social “X”, Friedman thekson se objektivi i këtij lobimi është heqja e sanksionit “non grata” ndaj Sali Berishës, vendosur nga Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2021.
Gazetari zbulon se Continental Strategy LLC, e themeluar në vitin 2021 nga Carlos Trujillo, ish-këshilltar i Donald Trump, aktualisht drejtohet nga Katie Wiles – vajza e shefes së kabinetit të Presidentit Trump dhe ish-drejtore e fushatës së tij presidenciale të vitit 2024. Emri i strategut të fushatës Chris LaCivita lidhet gjithashtu me këtë kontratë, ndërsa Friedman përmend edhe përfshirjen e Paul Manafort, ish-shefit të fushatës së Trump në vitin 2016, i cili ka qenë më parë i hetuar për lidhje me interesa ruse.
Sipas dokumenteve të depozituara në Departamentin Amerikan të Drejtësisë, sipas ligjit FARA (Ligji për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj), kompania ka deklaruar kontakt me ndihmësin e senatorit Marco Rubio, Dan Holler, me gjasë në funksion të përpjekjeve për të ndikuar në çështjen e “non grata”-s për Berishën. Friedman nënvizon se ky veprim përbën tentativën më të fundit për të krijuar qasje politike në majat e pushtetit amerikan.
Po sipas Friedman, Partia Demokratike ka angazhuar edhe një firmë të dytë, Continental PLLC, e cila duket se trajton aspektet ligjore të çështjes së Berishës në SHBA, pa qenë e detyruar të regjistrojë aktivitetin sipas ligjit FARA.
Gazetari sjell në vëmendje edhe precedentët e mëparshëm të PD-së në lobimin amerikan, si në vitin 2017, kur u zbulua se një firmë lobimi ishte financuar në mënyrë të fshehtë me fonde të lidhura me Kremlinin – një përpjekje që sipas tij dështoi.
Kontrata aktuale, që parashikon pagesën prej 6 milionë dollarësh për dy vite, synon jo vetëm të influencojë vendimmarrjen në Uashington, por edhe të përmirësojë imazhin ndërkombëtar të Berishës. Në këtë kontekst, telefonata e parë zyrtare që është zhvilluar me Dan Holler, përfaqësues i senatorit Rubio, konsiderohet si një hap konkret për të avancuar këtë axhendë politike në SHBA.