Edlira Kokona nxjerr për ndërtim Pallatin e Kongreseve, Eni Vasili gati projektin për kullat te RTSH

0
36

Dy godina shtetërore dhe me histori si RTSH dhe Pallati i Kongreseve duke se do të prishen për t’iu hapur rrugë ndërtimit te kullave. Kështu Radio Televizioni Shqiptar (RTSH), tashmë nën drejtimin e Eni Vasilit, duket se po kalon një fazë të re që ka shkaktuar shumë shqetësime. Zëra të shumtë sugjerojnë se ky drejtim i ri mund të hapë rrugë për prishjen e godinave historike të RTSH-së dhe ndërtimin e kullave shumëkatëshe në vend të tyre. Dyshimet janë të mëdha, dhe një emër që është përfolur është ai i oligarkut Gent Sula, i cili njihet dhe dyshohet si donator i shtëpisë së gazetares Eni Vasili në Kodra e Diellit, duke ngritur pyetje mbi lidhjet e mundshme mes tij dhe këtij projekti të madh ndërtimi.

Po ashtu, Pallati i Kongreseve, një ndërtesë e njohur dhe monument kulture, duket se do të ndjekë të njëjtin fat. Korporata Shqiptare e Investimeve, e udhëhequr nga Elira Kokona, ka zbuluar se ka hapur ankandin për të prishur këtë ndërtesë ikonë për t’i hapur rrugë një ndërtimi të ri, që do të përfshijë kulla. Por ky plan për betonizimin e qendrës së Tiranës ka ngjallur zemërim, pasi shumë pasuri shtetërore po kalojnë në duar private, duke rrezikuar trashëgiminë kulturore të qytetit. Ndërkaq, ka shqetësime se kjo shndërrim i pronave publike mund të jetë vetëm fillimi i një serie ndryshimesh, ku të tjera godina historike mund të shemben për t’u zëvendësuar me kulla dhe komplekse biznesi, duke çuar përpara një projekt të madh urbanizimi që favorizon vetëm interesat private.

Detaje nga situata brenda RTSH

Konkretisht Eni Vasili tashmë është konfirmuar në krye të Radio Televizionit Shqiptar, një zgjedhje që gazeta “SOT” e paralajmëroi disa javë më parë dhe të paracaktuar nga elitat politike në pushtet, duke qenë se ajo është mikeshë e bashkëshortes së kryeministrit Edi Rama, zonjës Linda Rama. Por ajo që mbetet më shqetësuese nuk është vetëm procedura, por ajo çfarë pritet të ndodhë më pas. Burime të mirinformuara flasin për një projekt të heshtur dhe shqetësues: rrafshimin e godinave historike të RTSH-së për të bërë vend për kulla shumëkatëshe, pjesë e një plani të vazhdueshëm betonizimi që po transformon pamëshirshëm qendrën e Tiranës.

Zgjedhja e Vasilit, një gazetare që shpesh është përfolur për qëndrime lehtësisht të përshtatshme ndaj linjave politike në pushtet dhe që njihet publikisht edhe si mikeshë e ngushtë e gruas së Kryeministrit, hedh hije dyshimi edhe mbi integritetin e institucionit publik më të rëndësishëm mediatik të vendit. Mjaftojnë disa kujtime të freskëta të pozicionimeve të saj, ku interesi profesional dhe ai personal janë dukur shpesh të ndërthurura në mënyrë të mjegullt, duke ngritur pyetje serioze mbi paanshmërinë dhe pavarësinë e saj reale.

Publiku nuk ka harruar se emisionet dhe qëndrimet e saj në media janë shoqëruar gjithnjë nga një klimë ambigue, ku zëri kritik është shfaqur dhe është zbehur sipas nevojave të momentit politik. Kjo qasje krijon shqetësimin e ligjshëm se RTSH mund të jetë i pambrojtur përballë presioneve dhe projekteve të fuqishme, veçanërisht në një kohë kur prona publike dhe trashëgimia kulturore janë vënë shpesh në rrezik nga interesat private.

Detaje nga prishja e Pallatit të Kongreseve

Ndërkohë nga ana tjetër, një nga ndërtimet më ikonike të Tiranës pritet të asgjësohet me një të rënë të lapsit. Ashtu siç po ndodh me prona të tjera shtetërore, ku në vend të tyre po ndërtohen kulla të stërmëdha nga firmat private. Rritja e çmimeve për metër katror në kryeqytet ka rritur kërkesën për troje dhe, pasi mbaruan trojet e privatëve, oligarkët dhe ata që i mbështesin në qeveri i kthyen sytë nga pronat shtetërore. Me vendime tepër të diskutueshme, ku çdo gjë po shitet dhe po blihet, Korporata e Investimeve Shqiptarë që drejtohet nga Elira Kokona, tashmë është bërë e preferuara e biznesmenëve, duke pasuar edhe Agjencinë e Zhvillimit të Investimeve, ajo që fali qindra mijëra metër katror në bregdet.

Por, me SPAK-un nëpër këmbë, “rolin” e saj e ka zënë kjo Korporata, e cila po “shet çdo pronë”. “VoxNews” ka raportuar për dhjetëra prona që kanë dalë në ankand, nga vilat qeveritare në Velipojë e Vlorë, te pronat te Liqeni i Tiranës, 21 Dhjetori apo edhe te ish-ATSH-ja. Tashmë, radha i erdhi zemrës së Tiranës, ku një ndërtesë që është edhe monument kulture do t’i jepet privatet, për t’u shndërruar në kullë. Por, e çuditshmja në këtë rast është se asgjësimi i Pallatit të Kongreseve do shumë firma, që nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës, Shërbimet Qeveritare apo edhe një mori institucionesh.

Kush ka firmosur?!

Deri më tani asnjë institucion, apo zyrtar shtetërorë s’ka dalë në “sipërfaqe”, teksa të gjithë kanë vepruar por kanë fshehur dorën. Të tjetërsosh një monument kulture është një vepër penale, ku duhen vendime kolegjiale dhe jo disa shkresa bakalli. Por, Korporata nxjerr pa kurrfarë ndroje dhe frike një njoftim të beftë, ku thotë se në thirrjet e ardhshme dhe shumë të afërta do të prishë edhe Pallatin e Kongreseve. Me çfarë dokumentesh? Kush e ka dhënë aprovimin? Njoftimi është i thatë, por shumë domethënës. Në të tilla raste duhet që të bëhen dëgjesa me grupet e interesit, apo edhe me arkitektët shqiptarë. Por siç ndodh rëndom në vendin tonë, askush nuk pyet dhe vepron me kokë të vetë. Por, nëse s’e kanë lexuar zyrtarët e kësaj korporate që bëjnë vetëm letra, Pallati i Kongreseve u projektua dhe u ndërtua në vitet 80 – të. Punimet për ndërtimin e tij filluan në vitin 1982 dhe përfunduan në 1986, katër vjet më pas.

Konstruksioni i ndërtesës është frymëzuar nga ndërtesa tradicionale e Gjirokastrës, Beratit dhe kulla e veriut të Shqipërisë. Pamja e jashtme e tij është ruajtur mjaft mirë gjatë këtyre viteve duke qëndruar  në harmoni me Muzeun Arkeologjik, Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” dhe ndërtesat e tjera përreth. Pallati  i Kongreseve është 70 metra i gjatë dhe 18-23 metra i lartë. Salla kryesore ka një kapacitet prej 2100 vendesh. Ky pallat u projektua që kthimi i sallës nga mjedis mbledhjeje në mjedis koncerti të projektohej me lehtësi. Pallati ka dhe 3 salla më të vogla me kapacitet prej 150, 280 dhe 300 vendesh,  të dizenjuara si ambiente pune për takime, mbledhje, forume apo ngjarje të tjera si këto. Disa javë më parë, kryeministri Edi Rama prezantoi projektin “Tirana Mooons”, i cili do të vendoset në qendër të sheshit “Nënë Tereza”. Por më shumë se ai instalacion, më shumë rëndësi ishte fjalimi për tjetërsimin e Pallatit të Kongreseve.

“Korporata Shqiptare e Investimeve do të shpallë edhe konkursin për rishpikjen mund të themi, nëse mund të përdor këtë fjalë, rikualifikimin, – Frida e thotë më mirë – të Pallatit të Kongreseve, me të njëjtën formulë si me stadiumin ku do të fitojmë një Pallat Kongresesh të transformuar, të rinovuar dhe patjetër do shohim si do paraqiten dhe cili do jetë projekti më i mirë”, tha Rama. Sipas tij, do të bëhet konkurs ndërkombëtar dhe do të bëhen edhe parkime nëntokësore. Paralelisht me projektin e Pallatit të Kongreseve, Korporata ka publikuar se do të hapë së shpejti edhe ankandin për tjetërsimin dhe shembjen e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, në Tiranë. Në vend të asaj prone do të ndërtohen kulla dhe në fund një pallat sporti. Ky projekt ka avancuar, pasi është miratuar edhe një vendim i Këshillit Bashkiak, që i ka dhënë dritë jeshile Korporatës që të zhvillojë pasurinë aktuale, e llojit truall dhe ndërtesë, me një sipërfaqe totale prej 14,094.58 m2, nga kjo 5040 m2 ndërtesë, në pronësi të “Qendrës Sportive”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here