SPAK 16 dosje për krime elektorale, përgjime, dëshmi dhe filmime

0
11

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) po futet fuqishëm në “lojë”, në një moment tepër të ndjeshëm për klasën politike shqiptare. SPAK ka konfirmuar ditën e djeshme për mediat hapjen e 16 çështjeve penale që lidhen drejtpërdrejt me procesin zgjedhor të 11 majit, një goditje që trondit themelet e politikës dhe sjell frymë të re llogaridhënieje në prag të fushatës elektorale. Katër nga këto çështje janë hapur me iniciativë të vetë prokurorëve, një veprim që tregon qartë vendosmërinë për të hetuar pa u ndikuar nga presionet politike apo interesat e momentit. Dosjet përmbajnë përgjime telefonike, dëshmi të drejtpërdrejta dhe filmime që kompromentojnë rëndë integritetin e garës elektorale. Hetimet kanë zbuluar jo vetëm tentativa të strukturuara për blerjen e votës dhe përdorimin e burimeve shtetërore për fushatë, por edhe përfshirjen aktive të elementëve kriminalë në favor të kandidatëve të caktuar.

Angazhimi i krimit të organizuar në fushatë

Burime të brendshme nga hetimet tregojnë se në disa zona, krimi i organizuar ka pasur një rol vendimtar në menaxhimin dhe kontrollin e territorit elektoral, duke kërcënuar votues, shpërndarë para në këmbim të votës dhe ndërhyrë në mënyrë direkte në procesin zgjedhor. Këto veprime nuk janë spontane, por të mirëorganizuara dhe në bashkëpunim me individë të lidhur me pushtetin vendor apo kandidatët për zgjedhje. SPAK pritet të firmosë në ditët në vijim urdhër-arreste për një numër drejtorësh të institucioneve publike dhe zyrtarësh lokalë, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë aktive në këtë skemë kriminale. Kjo është hera e parë që hetimet penale për krime elektorale ndërthuren kaq hapur me provat për lidhje me grupe kriminale, duke nxjerrë në dritë një sistem të tërë influencimi të paligjshëm që tenton të deformojë vullnetin qytetar.

19 denoncime nga qytetarët

Gjithashtu, përmes platformës “Denonco krimin zgjedhor”, janë depozituar 19 kallëzime nga qytetarët, një tregues i qartë i ndërgjegjësimit në rritje dhe i besimit që publiku po i jep SPAK-ut si institucioni i vetëm që ka treguar deri më sot vullnet real për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivelet më të larta. Ndërkohë, SPAK thekson se jo të gjitha denoncimet kanë përfunduar në hetime të drejtpërdrejta nga ky institucion. Shumë prej tyre janë transferuar në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm ose në Policinë e Shtetit për verifikime të mëtejshme. Kjo ndodh për shkak të kufizimit ligjor të kompetencave që ka SPAK, duke u fokusuar vetëm në raste që përfshijnë korrupsion aktiv dhe pasiv në zgjedhje, përfshirjen e zyrtarëve të lartë, ose kur ka dyshime për veprime të kryera nga grupe të strukturuara kriminale.

Frikë dhe panik në radhët e pushtetit

Përfshirja e SPAK në procesin zgjedhor ka shkaktuar jo pak panik në radhët e pushtetit, sidomos në nivelet vendore, ku fenomeni i blerjes së votës dhe përdorimi i administratës publike për qëllime elektorale është kthyer në normë të heshtur. Tani, me hetimet që zhvillohen në kohë reale dhe me një Task-Forcë të dedikuar, çdo veprim është i ekspozuar dhe çdo tentativë për manipulim mbart rrezikun e ndëshkimit penal. Edhe pse deri tani nuk janë dhënë urdhra arresti, një goditje spektakolare nga SPAK në mes të fushatës mund të ndryshojë tërësisht dinamikën e garës, duke nxjerrë jashtë loje individë kyç dhe duke rivendosur një lloj ekuilibri ligjor në procesin zgjedhor.

Roli i ndërkombëtarëve

Ndërkombëtarët janë gjithashtu të angazhuar për të garantuar zgjedhje të ndershme. Prezenca e OSBE në Shqipëri dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë organizuar takime të nivelit të lartë për të rritur kapacitetet e hetimit dhe ndëshkimit të krimeve zgjedhore. Z. Michel Tarran, Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, përshëndeti bashkëpunimin mes SPAK, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së, duke theksuar se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve është themel i një shteti ligjor funksional. Me çeljen e fushatës, një zyrë e përbashkët mes SPAK dhe Prokurorisë është ngritur në ambientet e KQZ-së, ndërsa OSBE ka dhuruar pajisje kompjuterike për të ndihmuar Task-Forcën e re të angazhuar për hetimin dhe parandalimin e krimeve zgjedhore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here