Opereta “Karnavalet” vjen në Opera, me një skenografi dhe kostumografi që të kthen pas në vitet ’30-të

0
17

Nga Julia Vrapi

Korça e viteve ’30-të vjen në operetën “Karnavalet” vepër e kompozitori Avni Mula me libret nga Luigj Gurakuqi. Shfaqja vjen me regji nga Inva Mula në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, me një skenografi e kostumografi që të kthen pas në vitet ‘30-të. Opereta punuar sipas motiveve të komedisë së mirënjohur të Spiro Çomorës “Karnavalet e Korçës” do të përmbyllë këtë muaj, duke sjellë gjallërinë e traditës dhe atmosferën festive në skenën e TKOB-së për tre mbrëmje me radhë. Nën regjinë e Inva Mulës, me dy kaste me artistësh, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, dirigjuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi, “Karnavalet e Korçës” do të sjellin në skenë një festë të vërtetë muzikore dhe vizuale. Teatri shprehet se tradita dhe arti bashkohen në një spektakël të paharrueshëm.

“Me një skenografi mahnitëse, që rikrijon kalldrëmet karakteristike të qytetit, dhe një kostumografi autentike që të kthen pas në vitet ’30, kjo shfaqje premton të jetë një udhëtim në kohë plot të qeshura, ngjyra dhe emocione”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit. Shfaqja do të jetë në skenë në mbrëmjet e datave 24, 25 dhe 26 mars. Në skenë janë solistë Solen Alla, Dorina Selimaj dhe Renisa Laçka, Klodjan Kaçani e Denis Skura, Erlind Zeraliu e Matias Xheli, Nina Muho, Fabjol Aliaj, Bledar Domi, Vikena Kamencia, Ivana Hoxha, Ramona Tullumani, Marina Kurti, Armando Likaj dhe Artur Vera, Suada Gjergji, Aurela Thëllimi, Metin Jupe. Skenografia Romeo Cani, vieo-art Tan Kazazi, koncert maestër Ingrid Pulizo, kostumografe Elva Bella, koncert maestër produksioni Herta Cane, Igli Rapaj. Në shkurt të vitit 2023, Teatri i Operës dhe Baletit riktheu pas 45 vitesh, operetën “Karnavalet” nën regjinë e Inva Mulës.

 Premiera e vitit 1978

Opereta sjell për artdashësit shqiptarë e të huaj gjallërinë e Karnavaleve, linjën e bukur të dashurisë, “pazaret e krushqisë” dhe shëmbëllimin e familjeve borgjeze korçare. Më 5 shkurt 1978, Teatri i Operës dhe Baletit shfaqi premierën e operetës “Karnavalet”, me muzikë të Avni Mulës, libret të Luigj Gurakuqit dhe dirigjim të Fiqiri Krajës. Kjo vepër erdhi në skenë me regji të Dhimitër Pecanit, ndërsa dekoret dhe kostumet u realizuan nga Ksenofon Dilo e Hysen Devolli. Atmosfera gazmore e operetës erdhi nën interpretimin e artistëve të njohur të TKOBAP-së si: Rozmari Jorganxhi, Xhovana Doko, Tatjana Kora, Shqipe Zani, Emine Gjata, Vangjo Kosta, Janaq Mici, Luiza Papa, Zeliha Sina, Hysen Koçia, Gjergj Sulioti, Ibrahim Tukiçi, Guri Kamenica, Agim Quku, Bedri Belba, Lefter Besho, Gaqo Zdruli, Ndrek Shkjezi, Stefi Panariti dhe Qirjako Qiramixhi.

Avni Mula lindi 4 janar 1928 në Gjakovë dhe vdiq më 29 tetor 2020, Tiranë.  Avni Mula veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”. Spiro Çomora (Korfuz, 31 janar 1918 – Tiranë, 1973) ishte mbledhës folklori, gjyqtar, satirist, përkthyes, poet dhe komediograf shqiptar. Skena e tërhoqi Spiro Çomorën qysh herët dhe shkroi dialogje, intermexo, skeçe, pjesë me një akt, etj, të cilat u botuan e u vunë edhe në skenë. Krijimet më të mira në këtë gjini i botoi në përmbledhjet “Nga fshati i gruas” dhe “Injeksione që duhën bërë”. Më vonë shkroi edhe disa komedi me një e tre akte, si “Dy me zero” (më vonë e titulloi “Prindër edukatorë”), “Dema dhe toreadorë”, dhe mbi të gjitha “Karnavalet e Korçës” që edhe pse është shkruar në 1961 dhe ngjarjet i zhvillon në 1936, është një komedi brilante, që qëndron aktuale edhe sot.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here