Zbardhet raporti, 12 dosje të hapura nga Altin Dumani për hetime për rrjedhjen e sekretit hetimor

0
38

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi pak ditë më parë se brenda Prokurorisë së Posaçme ka nisur hetim për rrjedhjen e sekretit hetimor. Në një intervistë, ai ka deklaruar se kushdo që “bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale”. “Sa i takon rrjedhjes së sekretit dhe gazetarët e kronikës janë dëshmitarë që është minimizuar shumë falë edhe masave të marra si institucion. Kemi hapur edhe hetime, aty brenda nesh për njëri-tjetrin për prokurorë, për hetues, kushdo që ka qenë në kontakt me informacionin i cili ka rrjedhur.

Ju garantoj që nëse ka prokurorë të prokurorisë së Posaçme, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale. Kjo nuk diskutohet. Raporti nuk është përfundimtar, ka çështje që janë në hetim në lidhje me sekretin hetimor edhe nga brenda nesh”, tha Dumani. Një raport i fundit tregon se në 3 vitet e fundit, SPAK ka regjistruar 12 raste të dyshuara të rrjedhjes së sekreteve hetimore. Dosjet përfshijnë analiza të thelluara për përfshirjen e mundshme edhe të prokurorëve dhe hetuesve brenda SPAK, duke ngritur shqetësime të mëdha mbi integritetin dhe sigurinë e hetimeve të ndjeshme në Shqipëri.

Hetimet

Dumani ka urdhëruar verifikime të hollësishme për individë të caktuar brenda sistemit, të cilët dyshohet se kanë ndikuar në rrjedhjen e informacionit të klasifikuar. Në disa raste, dyshohet se sekretet hetimore janë përdorur për të favorizuar palë të treta ose për të ndikuar në hetime në interes të grupeve apo individëve të fuqishëm. Rrjedhjet e dyshuara përfshijnë informacione për çështje të rëndësishme, si hetime për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar dhe abuzime në nivele të larta. Disa prej këtyre rrjedhjeve dyshohet se kanë ndikuar në zvarritjen ose sabotimin e hetimeve, duke dëmtuar rëndë besueshmërinë e institucioneve të drejtësisë.

Hetimet janë në faza të avancuara dhe priten arrestime. Emrat e përfshirë ende nuk janë bërë publikë, por mësohet se lista përfshin figura të njohura nga radhët e prokurorëve dhe hetuesve, të cilët kanë pasur qasje në dosje të ndjeshme. Altin Dumani ka treguar që nga marrja e detyrës një qëndrim të ashpër ndaj korrupsionit dhe shkeljeve brenda sistemit të drejtësisë. Ai është zotuar të zbatojë politika zero tolerancë ndaj individëve që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale ose që komprometojnë hetimet e SPAK.

Dosja e grupit të Suel Çelës “në pazar”

Por edhe pse Altin Dumani deklaroi se  ka hapur hetime për rrjedhje të sekretit hetimor, historia është përsëritur sërish dhe këtë herë kanë dalë informacione nga një dosje sensitive, si ajo e bandës së Elbasanit, ku janë përfshirë kriminelë, gjyqtarë, avokatë, biznesmenë, zyrtarë policie dhe gazetarë. Prokuroria e Posaçme kërkoi dje  nga mediat dhe aktorët e tjerë publikë që të mos publikojnë detaje nga dosja kundër grupit kriminal të Suel Çelës, i goditur së fundmi nga SPAK. Organi i akuzës bën me dije se Gjykata e Posaçme ka ndaluar publikimin e akteve hetimore të dosjes, sepse çdo publikim i paautorizuar jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor. SPAK nënkupton se nga bisedat dhe planet për vrasjen e personave të caktuar që bëhen mes anëtarëve të grupit kriminal të Suel Çelës, gazetarëve të akuzuar dhe ish-zyrtarëve të drejtësisë e Policisë, mund të nxisin hakmarrje nga persona të tjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here