Lojtarët e Kombëtares kuqezi patën një paraqitje të mirë në fundjavën që sapo lamë pas. Të shtunën e të dielën disa kuqezinj zbritën në fushë duke treguar vlerat e tyre sportive. Pati prej atyre që shënuan gola e dhanë asiste duke tërhequr vëmendjen e shtypit sportiv. Pati madje prej lojtarëve që ishin protagonistë kryesorë në sukseset e skuadrave të tyre sikurse janë Nedim Bajrami, Myrto Uzuni dhe Kristjan Shpendi. Ky i fundit lakohet edhe si një lojtar që mund të zgjedhë të luajë për Italinë nëse Silvinjo nuk do ta përfshijë shpejt në formacionin kuqezi të skuadrës së parë kombëtare.
Bajrami lider te Gllasgou Rejnxhërs
Nedim Bajrami ka shënuar për Rejnxhërs në Skoci. Një gol me mjaft peshë në gjysmëfinalen e Kupës së Ligës, pasi pati vlerën e përmbysjes kundër Madheruell. Bajrami dërgoi kështu në finale Rejnxhërs. Madheruell e mbylli në avantazh 1-0 pjesën e parë. Në të dytën fillimisht shënoi Desers për skuadrën e Bajramit. Vetë lojtari i Kombëtares shqiptare tundi rrjetën në minutën e 81-të. Finalja do të luhet pikërisht përball Sëlltik. Kujtojmë që Bajramaj është shndërruar në një nga pikat kryesore të Kombëtares kuqezi, lojtar i preferuar në formacion si organizator bashkë me Asllanin, një lojtar të cilit trajneri Silvinjo i beson shumë dhe ka të drejtë t’i besojë pasi Bajrami e ka justifikuar besimin me performancën e tij cilësore në dy vitet e drejtimit të kuqezinjve nga tekniku brazilian.
Myrto Uzuni 3 gola larg rekordit të kryegolashëneusit me Granadën
Goleadori shqiptar Myrto Uzuni po spikat në La Liga 2 këtë sezon. Sulmuesi i Kombëtares është padyshim lojtari i momentit nga Granada, pasi ka asistuar 6 gola dhe ka asistuar një tjetër. Ndërkohë që kujtojmë se sulmuesi i Kombëtares shqiptare i regjistron këto numra në 11 ndeshje ku ka luajtur. Asnjë nga ekipi i Uzunit nuk ka bërë më mirë se ai, te liga e dytë për nga rëndësia në futbollit spanjoll. Pas 29-vjeçarit te Granada është Riçard Sançes dhe Lukas Boje me nga dy gola. Uzuni po ashtu është 3 gola larg barazimit të rekordit, si golashënuesi më i mirë në historinë e Granadës, rekord që mbahet aktualisht nga marokeni Jusef El Arabi me 44 gola. Uzuni duket i vendosur për të lënë gjurmë me Granadën dhe për të qenë goleadori më i famshëm i saj. Me siguri që do të jetë në listën e Silvinjos për duelet e nëntorit në Ligën e Kombeve.
Shpendi tjetër gol me Çezenën
Një tjetër shqiptar bëri një paraqitje shumë të mirë në fundjavën që lamë pas. Kështu, Kristian Shpendi vazhdon të jetë vendimtar për Çezenën ku ka shënuar sërish. Sulmuesi i Kombëtares U-21 tundi rrjetën e Sudtirol, ndërsa sfida u mbyll 1 me 0. Gol vendimtar që pati vlerë për javën e 12-të të Serisë B. Me këto tre pikë, Çezena mban aktualisht vendin e katërt. Shpendi kryeson renditen e golashënuesve në Seria B. Deri tani ka shënuar 7 herë duke kontribuar drejtpërdrejt në sukseset e skuadrës së tij. Mbetet të shihet a do ta marrë ftesën e Silvinjos për ndeshjet e nëntorit kundër Çekisë dhe Ukrainës, ndeshjet e fundit e vendimtare për renditjen në grupin e parë të Ligës B të Kombeve.