Julia Vrapi
Piktura murale janë zbuluar në Kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam, monument kulture që ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Pikturat murale që u zbuluan në këtë objekt monument kulture më herët kishin qenë të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bën me dije se në këtë objekt janë kryer edhe ndërhyrje konservuese dhe restauruese nga specialistët. “Zbulohen piktura murale të mbuluara nga llaçi dhe lyerjet me gëlqere në kishën e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam.
Në kuadër të projektit “Studimi për konservimin e pikturës murale, elementeve dekorative me mermer të arkitekturës dhe dyshemenë e kishës bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam”, në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Post Bizantine, nga data 27 gusht deri në datën 20 shtator 2024, u kryen ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe”, thuhet nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore.
Po sipas IKTK-së ndërhyrjet i përkasin fazës së parë të punimeve të parashikuara në këtë projekt, i cili është planifikuar të vazhdojë në vitin 2025. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, që u formua nga bashkimi i dy institucioneve të mëparshme në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit përkatësisht nga Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” dhe Agjencia e Shërbimit Arkeologjik edhe më parë ka bërë me dije për ndërhyrjet që janë bërë në objektet monument kulture në vendin tonë, ku ndan informacione mbi punën që bëhet nga specialistët e trashëgimisë kulturore.
Një nga monumentet e kulturës të rralla të jugut
Manastiri i Mesopotamit në rrethin e Sarandës, fare pranë qytetit antik të Finiqit, konsiderohet si një nga monumentet e rralla të jugut të Shqipërisë, ku mbivendosen kultura dhe historia, ku simbolet e gdhendura mureve, janë një arsye më shumë për ta vizituar. Manastiri duhet të jetë ndërtuar në vitin 1224. Absida e dyfishtë e bën unike në zhanrin e saj, dhe disa kërkues kanë ngritur hipotezën që ky manastir mund të ketë qenë përdorur për mesha si katolike, ashtu dhe ortodokse. Thuhet se në fillim ka ekzistuar një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij është ndërtuar kisha e Shën Kollit, e cila mendohet të jetë ndërtuar në kohën e perandorit bizantin Kostandin IX Monomaku.
Kisha e Shën Kollit ka një arkitekturë tepër të veçantë të stilit bizantin. Kjo është një ndër kishat më të mëdha dhe më të vjetra të periudhës bizantine që ruan vlera të mëdha. Muret e jashtme janë të ndërtuar nga gurë gëlqerorë të mëdhenj. Dallohet për zbukurimet dhe mozaikët me motive shtazore, gjithashtu dhe për zbukurimet me tulla të mureve të jashtëm. Zbukurimet murale janë në forma të ndryshme. Kisha ka pasur dy rindërtime, në vitet 1793 dhe 1845.
Në kuadër të projektit “Studimi për konservimin e pikturës murale, elementeve dekorative me mermer të arkitekturës dhe dyshemenë e kishës bizantine të Shën Nikollës në Mesopotam”, në zbatim të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës të Republikës së Shqipërisë dhe Qendrës Europiane për Monumentet Bizantine dhe Post Bizantine, nga data 27 gusht deri në datën 20 shtator 2024, u kryen ndërhyrje konservuese/restauruese në pikturën murale të kësaj kishe…