Shqipëria importon një sërë produktesh nga Kuba, edhe pse volumi i tregtisë mes dy vendeve është relativisht i ulët. Kuba është e famshme për cigaret dhe purot e saj, veçanërisht për markat e njohura të puros kubane si Cohiba dhe Montecristo. “Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar se cilat kategori mallrash importon më shumë Shqipëria nga Kuba. Të dhënat tregojnë se gjatë periudhës Janar- Qershor 2024 vlera e importit për produktin “Pijet, alkoolet dhe uthullat” arriti në 8.8 mln lekë. Nëse analizojmë shifrat në terma mujorë vëmë re se në muajt shkurt dhe prill importuam më shumë. Përkatësisht, vlera e importit për pijet, alkoolet dhe uthullat nga Kuba arritën në afro 925,000 lekë në shkurt dhe 867,000 lekë në prill.
Ndërkohë, produkti i dytë më i importuar është “Duhan dhe zëvendësuesit e përpunuar të duhanit” me 7 milionë lekë në 6-mujorin e parë të vitit. Por theksojmë se në muajt Janar dhe Qershor nuk kemi importuar, dhe kjo vlerë është përllogaritur në bazë të importit të realizuar në 4 muajt e tjerë. Gjithashtu, marrëdhënia tregtare mes Shqipërisë dhe Kubës ka patur në përbërjen e saj edhe importe të zërave si “Përgatitje të ndryshme të ngrënshme”, “Plastika dhe artikuj prej tyre” si dhe “Avionët, anijet e hapësirës dhe pjesët e tyre” por këto produkte importohen shumë rrallë krahasimisht me ato të analizuar më sipër. P.sh pjesët e avionëve i kemi importuar vetëm në shkurt dhe vlera e tyre arriti në 24,095 lekë.
Nga ana tjetër, lidhur me marrëdhënien e shkëmbimit, Shqipëria më shumë merr produkte sesa jep në Kubë. Këtë e konstatojmë pikërisht përmes shifrave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, ku Kuba ka shfaqur interes për produktet shqiptare vetëm 2 herë gjatë muajit prill. Konkretisht, eksportoi 8,387,692 lekë lëndë djegëse minerale, vajra minerale dhe produkte të distilimit të tyre si dhe produkte të ndryshme kimike në vlerën 3,188,644 lekë.