Presidenti i Republikës Serbe, Milorad Dodik ka deklaruar se së shpejti do të finalizohet një propozim për një demarkacion politik me Federatën e Bosnje-Hercegovinës.
Ai shtoi se një ditë shpërbërja e shtetit do të bëhet fakt i kryer, teksa kujtoi se Evropa, e cila në fillim u përpoq ta shpëtonte Jugosllavinë, në fund ishte e para që mbështeti shpërbërjen e saj.
“Një ditë, shpërbërja e Bosnjë-Hercegovinës do të bëhet fakt, me përpjekjet e mëdha të të huajve që po bëjnë diçka për të. Boshnjakët bënë një gabim sepse, si kombi më i madh dhe më i përgjegjshëm në Bosnje dhe Hercegovinë, ata nuk panë se si të vepronin me serbët dhe kroatët. Mendoj se e kanë gabim nëse mendojnë se Bosnja dhe Hercegovina mund të jetë e suksesshme pa një lloj kënaqësie për serbët dhe kroatët”, tha Dodik.
Presidenti i Republikës Srpska theksoi se nuk është për asnjë ndarje tjetër, përveç një ndarjeje paqësore.
“Të ndahemi politikisht dhe territorialisht. Sistemi monetar dhe fiskal do të qëndrojë për tre deri në pesë vjet dhe ne do t’i ndajmë të dy shërbimet në mënyrë që të mos diskutohet vazhdimisht se çfarë i takon kujt nga taksat indirekte. Marka e konvertueshme dhe mekanizmi i marrëveshjes midis Republika Serbe dhe Federatës së Bosnjë-Hercegovinës mbeten”, shpjegoi Dodik.
Ai theksoi se situata aktuale nuk të çon askund, përveç përshkallëzimit të disa problemeve, duke thënë se serbët nuk do të shkojnë në luftë, por do të mbrojnë veten, gjë që askush nuk duhet të dyshojë, sepse ata nuk janë tërhequr kurrë në histori.