Gazetarja Klodiana Lala, duke folur për dosjen “5D”, zbuloi dje në një media se Erion Veliaj është në listën e personave që do të merren në pyetje dhe se roli i tij është duke u hetuar. Ajo tha se janë gjetur kontakte mes drejtuesve të kompanisë 5D dhe kryebashkiakut Veliaj, të cilat do të analizohen nëse hyjnë në kategorinë e veprave penale. “Hetime të tjera në Bashki dimë se Veliaj po hetohet në kuadër të inceneratorit. Taulant Tushe është në arrest me burg. Në kuadër të këtij hetimi është ushtruar kontroll në banesat e disa zyrtarëve shumë të lartë, janë marrë telefona dhe materiale. Taulant Tusha ka masë sigurie edhe për dosjen 5D, bashkë me Qaton dhe Mollën. Prokuroria është fokusuar fillimisht te tenderat në Bashki dhe në varësi. Tani po sekuestron praktika të tenderave në qytete të tjera, Durrës, Shkodër, etj, ku 5D ka garuar për të fituar tendera”, tha Lala. Gazetarja shpjegoi edhe skemën e përdorur nga drejtorët për ngritjen e një kompanie që do të përvetësonte paratë publike, duke nisur fillimisht me një elektricist dhe një bukëpjekës dhe më pas me Nestor Muhametllarin, sot i arrestuar nga SPAK. “Në 2016, një elektricist krijon kompani që e quan Igor Elektrik. Kjo kompani, pa mbushur as një muaj, fiton tenderin e parë. Këtë e merr te Ujësjellësi, ku Molla dhe Qato kanë patur funksione të rëndësishme në Bashki. Këtë kompani e shet në vitin 2017 edhe pse kishte xhiro të konsiderueshme, Muhamet Petritit, bukëpjekës. Muhamet Petriti rezultonte administrator, por nuk ishte as i regjistruar dhe siguruar, por sigurohej te furra e bukës së bashkëshortes. Një vit më vonë, Muhamet Petriti, vjehrri i vëllait të Qatos, e merr kompaninë 100%. Më pas kompania shitet 75 lekë të re, më pak se një kafe turke. Në 2021 shitet për 10 mijë euro te Nestor Muhametllari, ndërkohë që fitimin e kishte 2 milionë euro. Nestor Muhametllari dhe Muhamet Petritit, që duhet të ishin pronarë, nuk kishin as numrin e njëri tjetrit. Muhametllari kishte numrat e telefonit të Qatos dhe Mollës, por jo kontakt me pronarin e kompanisë. Pra ishin brenda një kompanie fiktive dhe ndodhte që zyrtarët e Bashkisë, i shpallnin procedurat dhe ishte vetë kompania private dhe njerëzit e dërguar prej tyre, ndërhynin në user dhe bënin skualifikimin e të tjerëve. Të gjithë punonjësit e dinin kush ishin pronarët e vërtetë të kompanisë. Po të shohësh përgjimet, thonë e ka shtetit vetë. Një punonjëse thotë unë ika nga puna që të mos dilja në fushatë, këta më thoshin dil në fushatë. Në zgjedhje vendore, punonjësit e 5D merreshin me listë dhe nxirreshin në fushatë. Jo vetëm që e dinin kush ishin pronarët por heshtnin. Një nga punonjëset thotë plasi sherri këtu dhe thotë kam vajtur në shtëpi dhe po fle me Xanax. Gjykata e Posaçme në pikën 88 të vendimit, i lë detyrë SPAK-ut të hetojë kreun e autoritetit kontraktor, por nuk e përcakton a është Bashkia apo shtetasi Veliaj. Po ta lexosh me kujdes, kupton që gjykata ka lënë detyrë të hetohet direkt Erion Veliaj. Të gjithë procedurat e fundit tenderuese, autoriteti kontraktor ishte Bashkia e Tiranës”, deklaroi Lala.