Nuk kanë të ndalur tentativat e ish-kryeministrit Sali Berisha për t’i bërë ballë dhe sfiduar hapur amerikanët teksa ka emëruar këtë fundjavë ish-gjyqtarin Gjin Gjoni në krye të degës së Rithemelimit në Lezhë. Kjo lëvizje e Berishës vjen pas nderit që Gjoni i bëri ‘non-gratës’ duke e shpëtuar nga gjyqi për kryengritjen e armatosur në vitin 1998, ku ia hodhi ‘paq’ burgut. Dhe mesa duket ka ardhur koha që Berisha t’i kthejë reston Gjonit. Gjyqtari ‘sheik’, armiku më i madh i SHBA, më 17 korrik të vitit 2020 dha dorëheqjen nga detyra e gjyqtarit të Apelit në Tiranë duke i bërë ‘bisht’ Vetingut pasi së bashku me bashkëshorten Elona Çaushi nuk justifikonin dot pasurisë marramendëse të paluajtshme me një vlerë prej 2.4 milionë euro. Simboli i drejtësisë së korruptuar, do të jetë kryetari i degës së PD-së së Rithemelimit në Lezhë duke fituar me një rezultat me diferencë votash ndaj dy kandidatëve përballë tij. Gjoni siguroi 604 vota kundrejt kandidatëve, Albert Rrusti i cili mori 312 vota dhe Paulin Marku 131. Pas fitores, në një prononcim për mediat, ai falënderoi qytetarët e Lezhës që e votëbesuan, ndërsa theksoi se situata në PD është shumë kritike, por dega e Lezhës i ka objektivat e qarta. Ndër të tjera Gjoni u shpreh se do të fillojnë me riorganizimin e PD-së së Lezhës dhe përgatitjen për fushatën elektorale për zgjedhjet e vitit të ardhshëm. “Në radhë të parë doja të falënderoja dy kolegët e mi për garën dinjitoze. Populli i Lezhës arriti të më votëbesojë mua, është përgjegjësi shumë e madhe. Patjetër që situata politike në të cilën ndodhemi është jashtëzakonisht shumë kritike, por Partia Demokratike Lezhës ka objektiva të qarta. Të bashkuar, siç jemi sot, do të fillojmë me riorganizimin e partisë dhe përgatitjen për fushatën elektorale të 2025”, deklaroi Gjoni.
Tentativa e dytë
Por duket qartë se Sali Berisha po thellon skandalin me drejtësinë përmes caktimit të Gjin Gjonit në krye të Rithemelimit të Lezhës, e cila shihet si tentativa e dytë e ‘non-gratës’, pas propozimit për deputet në zgjedhjet e vitit 2021. Mirëpo vetë çeta anti-amerikane e Berishës u tërhoq nga ky vendim pas presionit të madh publik kombëtar dhe atij ndërkombëtar. Duket se ‘non-grata’, nuk e ka shuar ëndrrën për të bërë deputet Gjin Gjonin në bastionin më të madh opozitar në Lezhë, ku shihet me shumë mundësi një prej kandidatëve kryesorë në zgjedhjet e 2025-s. Që prej kohës kur Berisha drejtonte vendin si kryeministër, Gjin Gjoni shihej si një nga njerëzit më me influencë në drejtësinë shqiptare, e krejt e kundërta në sytë e ambasadave të Tiranës dhe ndërkombëtarët, si simboli i abuzimit në për pasurinë miliona dollarëve aspak të justifikueshme apo edhe ndërrmarja e vendimeve të bujshme. Pas paralajmërimeve të ndërkombëtarëve, korrikun e vitit 2020, Partia Demokratike e tha hapur se Gjin Gjoni nuk do të pranohej si kandidat pasi u largua nga detyra për shkak të frikës ndaj vettingut.
Mesazhi i Juri Kim
Ndërkohë që asokohe PD e Berishës dha lajmin se Gjin Gjoni nuk do të jetë pjesë e asnjë kandidimi politik, i menjëhershëm ishte edhe reagimi ish-ambasadores së SHBA-vë në Tiranë, Yuri Kim e cila dha një mesazh të fortë duke tronditur partitë politike në vend. “Paralajmërim, Teksa partitë përgatiten për zgjedhje, udhëheqësit do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën siglën e tyre. Ju lutem, verifikoni kandidatët tuaj, mos i fyeni votuesit, mos minoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin”, shkri diplomatja Kim në korrik të vitit 2020. Kujtojmë nga ana tjetër se Gjin Gjoni, mbahet mend me disa dosje të bujshme që i ka mbyllur si gjyqtar, ku më e rëndësishmja ka qenë ajo që mbahet mend ajo tentativës për grusht shteti nga Berisha të 14-shtatorit 1998, që u mbyll dhe u arkivua pa asnjë të dënuar ndërkohë që organizatori i kryengritjes, Sali Berisha, as nuk është marrë në pyetje. Një lidhje midis gjyqtarit dhe politikanit dhe tani faktohet me zgjedhjen e tij si kryetar i PD së Rithemelimit në qytetin e Lezhës.