Mevlan Shanaj: Karakteret e personazheve në filmat e Viktor Gjikës nuk dinë të vdesin, me kalimin e viteve janë gdhendur në koshiencën e çdo shikuesi

0
60

Regjisori Viktori Gjika realizoi disa prej filmave më të rëndësishëm e më përfaqësues të kinematografisë shqiptare. “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, “I teti në bronz” apo dhe “Në çdo stinë” janë disa prej filmave që mbajnë emrin e mjeshtrit të kinematografisë shqiptare. Mevlan Shanaj në 15-vjetorin e ndarjes nga jeta të regjisorit Viktor Gjika “Nderi i Kombit” sjell në vëmendje punën e tij me filmat, duke pohuar kineasti më i madh i ekranit shqiptar. Regjisori Mevlan Shanaj shprehet se karakteret e personazheve në filmat e Viktor Gjikës nuk dinë të vdesin. “Viktor Gjika u shua në datën 3 mars 2009, emri dhe vepra e tij veçse lartësohen! Homazh në përvjetor të ikjes së regjisorit të shquar Viktor Gjika (ndoshta kineasti më i madh i ekranit shqiptar). Nëse në Shqipëri përdoret shprehja ishte regjisor i madh, është rasti i shkëputjes nga radhët për Viktor Gjikën. Ka krijuar imazhin e së shkuarës artistike historike, të njeriut patriot, të fshatarit të ndershëm, të qytetarit fisnik. Të shqiptarit të papërkulur. Karakteret e personazheve në filmat e Viktor Gjikës nuk dinë të vdesin, me kalimin e viteve janë gdhendur në koshiencën e çdo shikuesi. I përjetshëm emri i njeriut që erdhi prej Korçës së dijes për të ndriçuar gjithë Shqipërinë”, shprehet Mevlan Shanaj “Mjeshtër i Madh”.  Regjisori Viktor Gjika realizoi prodhime të ndryshme kinematografike, por “I teti në Bronx” i vitit 1970 ishte dhe filmi ku ai i besoi Mevlan Shanajt rolin e Ibrahim Kovaçit. “Isha student kur më besoi në atë rol”, tregon Shanaj.

Regjisori që la pas kryevepra të trashëgimisë filmike

Viktor Gjika (1937 – 2009), “Nderi i Kombit” la pas kryevepra të trashëgimisë sonë filmike. Regjisori Mevlan Shanaj gjithashtu një nga miqtë e Viktor Gjikës thotë se filmat e tij kanë brenda dhe madhështinë historike. “Se çdo diktaturë me filmat: “Rrugë të bardha”, “Gjeneral gramafoni”, “Nëntori i dytë”, do të heshte! Filmat e Viktor Gjikës, kanë brenda madhështi historike jo vetëm nivelin artistik! Ne si shoqëri duhet të bëhemi më të çliruar nga ndjenja meskine! Madhështia duhet të quhet madhështi!”, shprehet regjisori Shanaj. Viktor Gjika lindi më 23 qershor 1937 në Korçë dhe vdiq më 3 mars 2009 Tiranë. Në kuadër të 15-vjetorit të ndarjes nga jeta të regjisorit të shquar Viktor Gjika, në ambientet e Bibliotekës së Kryeministrisë në COD u kujtua regjisori nëpërmjet promovimit të librit “Film pas filmi, unë e bija e…” nga autorja Ester Gjika, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Toena”. Libri sjell në një dimension real marrëdhënien hyjnore at e bijë, duke shtjelluar jetën familjare të përditshme, të përzier me krijimtarinë. Tregime që fillojnë nga sheshxhirimet që përngjajnë me një botë surreale e vijojnë në mjedisin familjar, që fal aq shumë siguri e dashuri. Viktor Gjika një nga regjisorët më të rëndësishëm dhe të shquar të filmit shqiptar gjatë karrierës realizoi rreth 15 filma artistikë dhe 25 dokumentarë. Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze, në vitin 1977 i jepet titulli “Artist i Merituar” dhe në vitin 1985 “Artist i Popullit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here